Reformë në “Inteligjencë”/ Miratohet pr.ligji i ri, SHIK bëhet zyrtarisht SHISH dhe zgjeron kompetencat te sulmet kibern
Qeveria shqiptare ka miratuar një reformë të thellë ligjore që synon të ndryshojë strukturën, kompetencat dhe rregullat e funksionimit të shërbimit sekret të vendit. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të zhvilluar këtë të mërkurë, ekzekutivi ka kaluar projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin e vitit 1998, duke bërë jo vetëm unifikimin e emërtesës zyrtare të institucionit, por edhe duke përshtatur misionin e tij me sfidat e reja të sigurisë globale.
Me propozim të Kryeministrit, ky projektligj i është përcjellë menjëherë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për shqyrtim dhe miratim me procedurë parlamentare.
Nga SHIK në SHISH, çfarë ndryshon në emërtim?
Ndryshimi i parë dhe më i dukshëm që sjell ky projektligj lidhet me terminologjinë ligjore, duke zyrtarizuar në ligjin bazë emërtimin që përdoret aktualisht në praktikë. Sipas Nenit 1 të draftit të ri:
“Titulli i ligjit ndryshohet dhe zëvendësohet me ‘Për Shërbimin Informativ të Shtetit’. Kudo në përmbajtje të ligjit emërtimi ‘Shërbimi Informativ Kombëtar’ zëvendësohet me ‘Shërbimi Informativ i Shtetit’ dhe shkurtimi ‘SHIK’ zëvendësohet me ‘SHISH’.”
Gjithashtu, hiqen terminologjitë e vjetra si “Nënkomisioni i Përhershëm Parlamentar”, i cili zëvendësohet me “komisionin përgjegjës për sigurinë”, si dhe fshihet fjala “Popullor” nga tekstet referuese të neneve pasuese.
Sfidat e reja, sulmet kibernetike, hibride dhe infrastruktura kritike
Përtej ndryshimeve në emër, neni 2 i projektligjit riformulon tërësisht misionin e inteligjencës shqiptare, duke e zhvendosur fokusin drejt kërcënimeve moderne asimetrike. Krahas detyrave klasike për mbledhjen e informacionit ndaj spiunazhit të huaj, terrorizmit dhe ekstremizmit, ligji i ri shton kompetenca të qarta për mbrojtjen e hapësirës virtuale dhe aseteve strategjike.
Sipas përcaktimeve të reja, SHISH-i tashmë do të ketë për detyrë të mbledhë informacion për:
Kërcënimet ndaj sigurisë ekonomike, kërcënimet kibernetike dhe kërcënimet hibride me impakt në mjedisin e sigurisë së vendit.
Kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë.
Krimet kundër mjedisit, prodhimin dhe përhapjen e armëve të dëmtimit në masë, si dhe për stabilitetin rajonal e sigurinë kolektive (NATO).
Për të realizuar këto detyra të zgjeruara, neni 6 i jep institucionit një armë të fortë investigative: “SHISH-i ka të drejtë për akses në bazat e të dhënave shtetërore, i cili është i kufizuar sipas funksionit ligjor dhe rregullohet me marrëveshje ndërinstitucionale.”
Ndryshon skema e kontrollit të pasurive për agjentët e SHISH
Një tjetër pikë mjaft delikate e këtij projektligji është rregullimi i trajtimit të punonjësve të shërbimit sekret. Për arsye të ruajtjes së sekretit shtetëror dhe specifikës së punës operative, punonjësit e SHISH-it do të përjashtohen nga skema e përgjithshme e deklarimit dhe kontrollit të pasurive në institucionet publike si ILDKPKI.
Në nenin 5 të projektligjit sanksionohet se:
“Punonjësit e SHISH-it përjashtohen nga detyrimi për deklarimin e të ardhurave të përftuara nga paga, si dhe deklarimin e kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë. Kontrolli vjetor i tyre kryhet nga struktura e posaçme në Shërbimin Informativ të Shtetit, sipas procedurave të përcaktuara me akt të brendshëm të drejtorit të SHISH-it.”
Sa i përket kupolës drejtuese, drafti përcakton se Drejtori dhe Zëvendësdrejtori i SHISH-it do të përfitojnë pagë bazë, shtesë për vjetërsi dhe për natyrë të veçantë pune (të rregulluar me vendim të qeverisë), si dhe do të përfshihen në legjislacionin për pensionet shtetërore suplementare të funksionarëve të lartë kushtetues.
Projektligji i miratuar nga qeveria parashikon një afat prej 3 muajsh nga hyrja në fuqi për nxjerrjen e akteve nënligjore nga drejtori i SHISH-it dhe Këshilli i Ministrave, ndërsa ligji do të hyjë zyrtarisht në fuqi 15 ditë pas botimit të tij në “Fletoren Zyrtare”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.