Tiranë 28°C · Pjesërisht vranët 03 July 2026
S&P 500 7,483 ▲0%
DOW 52,900 ▲1.14%
NASDAQ 25,833 ▼0.8%
NAFTA 68.78 ▲0.13%
ARI 4,187 ▲1.49%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1424 EUR/GBP 0.8564 EUR/CHF 0.9192 EUR/ALL 94.0602 EUR/MKD 61.6855 EUR/RSD 117.3688 EUR/TRY 53.3819 EUR/JPY 184.30 EUR/CAD 1.6211 EUR/USD 1.1424 EUR/GBP 0.8564 EUR/CHF 0.9192 EUR/ALL 94.0602 EUR/MKD 61.6855 EUR/RSD 117.3688 EUR/TRY 53.3819 EUR/JPY 184.30 EUR/CAD 1.6211
₿ CRYPTO
BTC $62,184 ▲ +0.81% ETH $1,738 ▲ +2.44% XRP $1.1221 ▲ +3.09% SOL $81.7800 ▲ +1.38%
S&P 500 7,483 ▲0 % DOW 52,900 ▲1.14 % NASDAQ 25,833 ▼0.8 % NAFTA 68.78 ▲0.13 % ARI 4,187 ▲1.49 % S&P 500 7,483 ▲0 % DOW 52,900 ▲1.14 % NASDAQ 25,833 ▼0.8 % NAFTA 68.78 ▲0.13 % ARI 4,187 ▲1.49 %
EUR/USD 1.1424 EUR/GBP 0.8564 EUR/CHF 0.9192 EUR/ALL 94.0602 EUR/MKD 61.6855 EUR/RSD 117.3688 EUR/TRY 53.3819 EUR/JPY 184.30 EUR/CAD 1.6211 EUR/USD 1.1424 EUR/GBP 0.8564 EUR/CHF 0.9192 EUR/ALL 94.0602 EUR/MKD 61.6855 EUR/RSD 117.3688 EUR/TRY 53.3819 EUR/JPY 184.30 EUR/CAD 1.6211
03 Jul 2026
Breaking
Opinion

Revolucioni: nga pelikanët tek vezët mbi makina?

Nga Fatos Çoçoli

Në ditën e 34-t të protestës, një pamje bëri xhiron e rrjeteve sociale dhe të mediave: vezë të hedhura mbi automjetet e deputetëve pranë Kuvendit të Shqipërisë. Për disa ishte një akt simbolik revolte. Për të tjerë, një shenjë se protesta po hyn në një fazë ku spektakli po zë vendin e argumentit. vëmendja publike rrezikon të largohet nga kërkesat politike dhe qytetare, për t’u përqendruar tek format e përplasjes simbolike.

Po e humb protesta kapitalin e saj moral?

Hedhja e vezëve ndaj makinave të deputetëve mund të ketë vlerë si simbol proteste për disa pjesëmarrës. Megjithatë, pyetja kryesore është nëse ky simbol e afron apo e largon protestën nga objektivat e saj. Historia e demokracive të konsoliduara tregon se forca e një proteste nuk matet nga intensiteti i përplasjes, por nga aftësia për të bindur opinionin publik dhe për të ndërtuar besueshmëri.

Çdo protestë ka nevojë për një kapital moral. Pikërisht ky kapital i jep legjitimitet në sytë e qytetarëve dhe e bën më të fortë përballë institucioneve. Kur vëmendja zhvendoset nga kërkesat te incidentet, ekziston rreziku që opinioni publik të mos diskutojë më për arsyet e protestës, por vetëm për mënyrën se si ajo zhvillohet

Nuk është hera e parë që në vende të ndryshme përdoren vezët si formë simbolike proteste. Në shumë vende demokratike, hedhja e vezëve është përdorur historikisht si një formë simbolike proteste, me synimin për të shprehur mosaprovim pa përdorur dhunë të rëndë. Megjithatë, fakti që një veprim është simbolik, nuk do të thotë se ai është domosdoshmërisht i dobishëm për arritjen e objektivave politike.

Përvoja ndërkombëtare tregon se aktet simbolike kanë efekt, vetëm kur shoqërohen me një mesazh të qartë politik dhe me një strategji që synon të fitojë mbështetje më të gjerë qytetare. Përndryshe, ato mbeten episode mediatike që harrohen shpejt.

Shqipëria ka nevojë për një kulturë politike, ku kundërshtari politik sfidohet me argumente, me transparencë dhe me alternativa, jo vetëm me gjeste që prodhojnë tituj lajmesh. Protestuesit duhet të jenë të vetëdijshëm se mënyra e protestës ndikon drejtpërdrejt në perceptimin e kauzës së tyre.

Demokracia nuk ndërtohet mbi poshtërimin e kundërshtarit politik

Demokracia nuk ndërtohet mbi poshtërimin e kundërshtarit politik, por mbi aftësinë për ta detyruar atë të japë llogari, nëse është në qeverisje, përmes presionit qytetar të protestave paqësore, debatit publik dhe mekanizmave institucionalë. Çdo veprim që zhvendos fokusin nga problemet reale, drejt përplasjeve simbolike, rrezikon ta dobësojë vetë protestën.

Në fund të fundit, asnjë vezë nuk ul çmimet, nuk lufton korrupsionin, nuk përmirëson arsimin, nuk forcon drejtësinë dhe nuk rrit mirëqenien e qytetarëve. Këto objektiva kërkojnë ide, organizim, pjesëmarrje qytetare dhe përgjegjësi politike.

Protesta mund të jetë një motor ndryshimi vetëm kur arrin të fitojë zemrat dhe mendjet e shumicës së qytetarëve. Sa përfaqësues të fermerëve, të pensionistëve, të punëtorëve në ndërtim apo në turizëm, kemi parë në 33 ditet e protestës? Ky është testi i vërtetë i suksesit të saj. Të zgjerojë bazën prej disa mijëra të rinjsh aktivistë, të dëshiruar dhe motivuar për ndryshim.

Gjithçka tjetër, përfshirë edhe “guerriljen e vezëve”, mbetet një episod që tërheq vëmendjen për një ditë, por nuk garanton se po afrojnë zgjidhjet, që Shqipëria pret prej vitesh.

Në çdo shtet demokratik, protesta është një instrument i rëndësishëm i pjesëmarrjes qytetare, edhe kur zhvillohet pranë Parlamentit. Sfida kryesore mbetet që energjia e protestës të përkthehet në debat publik, alternativa politike dhe dialog institucional, duke shmangur veprime që mund të errësojnë kauzën ose të nxisin përshkallëzim të panevojshëm.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.