Rikonfirmimi në krye të PD-së, Berisha: Demokratët mposhtën narko-mafian më të rrezikshme në Europë
Një ditë pas rikonfirmimit si kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar përmes një mesazhi të gjatë, ku e ka quajtur procesin e djeshëm si një referendum brenda partisë së tij.
Ai ka shpjeguar edhe pse u zgjodh kjo formë, ndërsa akuzon qeverinë e kryeministrit Edi rama për lidhje me krimin.
Ditën e djeshme, më 23 maj, demokratët iu drejtuan kutive të votimit për të marrë pjesë në referendumin për konfirmimin ose jo të Berishës në krye të Partisë Demokratike. Pas përfundimit të votimit në orën 19:00, Berisha u rikonfirmua në krye të partisë me 37 341 vota pro. Ai mori 1055 vota “kundër” dhe 506 abstenim.
Procesi i votimit nisi në orën 08:00 dhe përfundoi në orën 19:00. Këtë vit, ndryshe nga proceset e fundit zgjedhore, votat u numëruan nëpër degë dhe jo në selinë qendrore.
REAGIMI I BERISHËS
Miq, zgjedhja e kryetarëve të partive padyshim është një lajm dhe një ngjarje e rëndësishme, sipas peshës që ato kanë në jetën e vendit. Procedurat e zgjedhjes së kryetarëve variojnë: disa zgjidhen me aklamacion, domethënë me duartrokitjen e delegatëve të kuvendit të pranishëm në sallë, kur paraqitet për miratim emri i kryetarit të partisë. Të tjerë e zgjedhin atë në kuvendin e partisë me votim të fshehtë, me një apo disa kandidatura, dhe këta janë shumica. Ndërsa të tjerë (dhe këta janë pakica) kryetarin e partisë e zgjedhin bazuar në demokracinë direkte, domethënë me votën e të gjithë anëtarësisë – pra, “një anëtar, një votë” – dhe me një apo disa kandidatura. Kjo formë e fundit referendare ende është në pakicë në Europë dhe në botë. Por demokracia direkte apo referendare konsiderohet procedura më demokratike, ndaj dhe është në rritje. Kjo është e vërtetë kudo në botë, por jo në diktatura. Në diktaturat totalitare apo autoritare kryetari është Zeusi, e për Zeusin nuk votohet; dhe kjo ndodh edhe në Shqipëri me partinë-krim.
Në Shqipëri janë dy parti të mëdha. Partia Demokratike i zgjedh drejtuesit bazuar në demokracinë direkte dhe voton me parimin “një anëtar, një votë” në çdo proces zgjedhor. Kurse PS-ja, apo partia e krimit, ka zëvendësuar votën e anëtarëve me emërimin dhe fuqinë e krimit. Kjo parti prej 17 vitesh nuk voton kurrë për kryetarin dhe për asnjë forum tjetër të saj. Kurse PD-ja çdo katër vite zgjedh kryetarin dhe drejtuesit vendor e kandidaturat per deputet bazuar në demokracine direkte (referendum)!
Por, tipike si në një diktaturë autoritare, prej tre muajsh në një aleancë të zezë, kreu i meduzës Edi Rama, narkoqeveritarët, mafia e mediave të kontrolluara nga narkoqeveria dhe kartelet e drogës i kanë kushtuar mijëra e mijëra lajme (me rekord deri në 16 të tilla në 4 orë) dhe qindra e qindra artikuj ne portalet dhe gazetat e tyre e qindra debate në studiot e tyre sulmit ndaj PD-së dhe zgjedhjes së kryetarit të saj me referendum apo demokraci direkte. Ata u fokusuan në gjetjen dhe mbështetjen e kandidatëve të botës së krimit, karteleve të drogës, Ergys Agasve, Oltion Bistrave, apo në mbështetjen si kandidatë të të përdorurve politikë, të cilët, pasi kalojnë në parti të tjera, urdhërohen që duhet të kandidojnë për kryetar të PD-së, madje u jepen tituj e ofiqe që kurrë nuk i kanë pasur. Të gjitha këto për tri arsye:
Së pari, sepse për narkomafian shtetërore dhe mafian e mediave që ajo kontrollon, tmerri i tyre është opozita e vërtetë, mbasi është ajo dhe vetëm ajo që mund të lëkundë dhe të përmbysë pushtetin e tyre të krimit, t’u presë favoret dhe paratë e vjedhura të qytetarëve, të cilat i shndërrojnë në mashtrime, trillime e manipulime për qytetarët dhe në luks e vila për veten dhe familjet e tyre.
Së dyti, duke lënë mënjanë modestinë, Edi Rama, narkomafia qeveritare dhe mafia e mediave që ai kontrollon, dëshmuan frikën dhe tmerrin e tyre nga Sali Berisha. Ata e dinë mirë se cila është zero-toleranca e tij ndaj krimit; e dinë mirë se mafia nuk do të gjejë vrimë miu në Shqipëri dhe në botë ku të futet për krimet e veta.
Së treti, ata, duke shkatërruar kontratën themelore të njeriut me shoqërinë (që është ajo e fjalës me kuptimin e saj), përpiqen 24 orë në ditë e 7 ditë në javë të mashtrojnë dhe të bindin me çdo kusht shqiptarët se problemi madhor i tyre nuk është farsa elektorale, nuk është vjedhja e miliarda eurove, nuk është plaçkitja e pasurive publike si në një sistem kolonial, dhe nuk është shpërngulja nga varfëria e mjerimi i shqiptarve ne vendi i tyre, nuk jane me çmimet ndër më të lartat në Europë dhe rrogat më të ulëta. Nuk janë Edi Rama, lubia dhe “lindat” e tij që kanë vjedhur miliarda, dhe nuk qenka përjashtimi i votës prej 17 vitesh në partinë e krimit!
Por, sipas këtyre mafiozëve, kollajxhinjve e mjeranëve të së keqes banale – që në funksion të saj korruptojnë edhe gjuhën – shkaterrojne raportin e fjales me kuptimin e saj, demokracia direkte dhe zgjedhja me “një anëtar, një votë” e kryetarit të partisë na qenka antidemokratike dhe problemi madhor i qytetarëve. Për këta të pafytyrë, vota referendare e të gjithë anëtarësisë për kryetarin e partisë opozitare është “privatizim i partisë nga kryetari” apo në rastin konkret “Berisha zgjedh Berishën”.
Ja pse për Edi Ramën dhe të gjithë këtë hordhi puthadorësh e mafiozësh që gromësijnë dhe zhgërrehen në luksin dhe paratë që u vjedhin shqiptarëve, vota e rreth 40 mijë demokratëve dje ishte një tmerr dhe ferr i vërtetë; ishte dështim dhe turpërim publik (por ata turp nuk kanë) i tyre. Kurse për shqiptarët, ajo ishte vota e triumfit të dinjitetit të tyre mbi mafian më të rrezikshme të Europës.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.