☀️
Tiranë 25°C · Kthjellët 03 August 2026
S&P 500 7,608 ▲1.57%
DOW 53,205 ▲1.37%
NASDAQ 25,942 ▲2.24%
NAFTA 80.26 ▼5.21%
ARI 4,110 ▲0.07%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1514 EUR/GBP 0.8555 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.9411 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4202 EUR/TRY 54.7746 EUR/JPY 182.38 EUR/CAD 1.6143 EUR/USD 1.1514 EUR/GBP 0.8555 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.9411 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4202 EUR/TRY 54.7746 EUR/JPY 182.38 EUR/CAD 1.6143
₿ CRYPTO
BTC $63,933 ▲ +0.72% ETH $1,873 ▼ -0.59% XRP $1.0800 ▼ -0.23% SOL $74.0600 ▲ +0.37%
S&P 500 7,608 ▲1.57 % DOW 53,205 ▲1.37 % NASDAQ 25,942 ▲2.24 % NAFTA 80.26 ▼5.21 % ARI 4,110 ▲0.07 % S&P 500 7,608 ▲1.57 % DOW 53,205 ▲1.37 % NASDAQ 25,942 ▲2.24 % NAFTA 80.26 ▼5.21 % ARI 4,110 ▲0.07 %
EUR/USD 1.1514 EUR/GBP 0.8555 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.9411 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4202 EUR/TRY 54.7746 EUR/JPY 182.38 EUR/CAD 1.6143 EUR/USD 1.1514 EUR/GBP 0.8555 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.9411 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4202 EUR/TRY 54.7746 EUR/JPY 182.38 EUR/CAD 1.6143
03 Aug 2026
Breaking
Opinion

Rregullorja “Bani” si “Kurban” për të drejtat kushtetuese të medias

Nga Mero Baze

Një rregullore e re e sigurisë në GJKKO, e shoqëruar me një delir prej rreth 100 faqesh nga kryetari i Gjykatës, Erion Bani, ka urdhëruar kufizimin e aksesit të medias në gjykatë, duke detyruar gazetarët t’i nënshtrohen disa procedurave të cilat praktikisht shuajnë të gjitha të drejtat e medias për të qenë informuese për një proces gjyqësor publik dhe shkelin të drejtën themelore kushtetuese të lirisë së shtypit për të pasqyruar një proces gjyqësor që gjykata mendon se duhet të zhvillohet larg syve të publikut.

Kryetari i Gjykatës, Erion Bani, ka miratuar bashkë me kancelarin një rregullore jashtë kompetencave të tij kushtetuese, me të cilën vendos në regjim represioni median, avokatët dhe publikun.

Ndërkohë, gjykata në faqen e saj jo vetëm që nuk ka botuar vendimin e këshillit, por ka botuar një koment privat të tij prej 100 faqesh, ku deklaron se të drejtat e tij të autorit janë të mbrojtura dhe të rezervuara. Nuk jam i shqetësuar se Erion Banit mund t’ia vjedhë njeri të drejtat e asaj “diareje”, por, nëse do që ta mbrojë atë, është mirë ta heqë një orë e më parë nga faqja publike e gjykatës, pasi publikimi në faqen e gjykatës i një studimi privat të kryetarit të saj është një imponim i heshtur për ta zbatuar atë si frymë ne vendimet e tyre.

Web-i i gjykatës nuk është portal privat nga ata që përdor SPAK apo GJKKO për të sulmuar viktimat e tyre. Ai është adresa zyrtare e një gjykate, e cila shpall aty vendime sipas ligjit dhe jo komente private kundër Kushtetutës për lirinë e medias.

Vendimi, me sa duket, ka ardhur nga presioni që i është bërë GJKKO-së që gjyqet e disa politikanëve të lartë të transmetohen publikisht, për të qenë edhe opinioni publik në dijeni të asaj çfarë gjykohet.

Rregullorja “Bani” jo vetëm që e zhduk këtë mundësi, por zhduk edhe mundësinë që gazetarët që marrin pjesë në seancë të filmojnë, regjistrojnë apo transmetojnë gjëra që GJKKO nuk dëshiron. Praktikisht, përveç akreditimit, që është procedurë normale, rregullorja e re kërkon që mediat të respektojnë kufizime të vendosura nga administrata e gjykatës dhe të pajisen me autorizim për fotografim, regjistrim audio, regjistrim filmik ose transmetim.

Kjo rregullore i heq medias rolin e saj kushtetues si garant i transparencës së drejtësisë dhe e kthen median në objekt të kontrollit administrativ të gjykatës. Detyra e medias është transparenca e punës së gjykatës, ndërsa kufizimet duhet të jenë përjashtime, të parashikuara shprehimisht me ligj dhe të justifikuara nga një rrezik konkret.

Afati 24-orësh për paraqitjen e kërkesave për ndjekjen, fotografimin, regjistrimin ose transmetimin e seancave jo vetëm që është joproporcional, por përbën një kufizim të drejtpërdrejtë të lirisë së medias dhe të së drejtës kushtetuese të publikut për t’u informuar mbi veprimtarinë e një organi publik të financuar nga taksapaguesit. Një e drejtë kushtetuese nuk mund të kufizohet me rregullore të sigurisë së gjykatave. Administrata e gjykatës nuk mund të krijojë me rregullore një regjim të ri autorizimi dhe kontrolli mbi veprimtarinë e medias.

Raportimi i gjykimit nuk është vetëm e drejtë e medias, por edhe një garanci kushtetuese e procesit të rregullt ligjor në interes të publikut. Media është mjeti përmes të cilit realizohet kjo garanci në një shoqëri demokratike. Çdo kufizim i pajustifikuar ndaj medias përkthehet në një kufizim të së drejtës së publikut për të ushtruar kontroll demokratik mbi administrimin e drejtësisë.

Qasja negative e rregullores “Bani” ndaj medias është paragjykimi i saj si një armik i procesit gjyqësor dhe e gjithë rregullorja është ndërtuar mbi idenë se si duhet të shpëtojë gjykata prej medias dhe jo se si duhet të mësojë publiku se si gjykon gjykata.Duket që idetë gëbelsiane për shtypin kanë kaluar nga SPAK tek GJKKO, aty ku lëviz zëdhënsi i shtypit.

Kjo rinxjerr në pah komplekset e shumë gjyqtarëve për t’u ballafaquar me çështje të nxehta në sytë e publikut, për shkak të aftësive të tyre të kufizuara profesionale dhe përdorjes së tyre politikisht në shumë raste.

I gjithë ky zhvillim tejet negativ ka ardhur pikërisht pas kërkesave të disa të akuzuarve, ish-zyrtarë të lartë, që kërkojnë që gjyqet e tyre të jenë publike dhe ata të mos mbahen të mbyllur në kafaz kur gjykohen.

GJKKO ka hedhur poshtë në mënyrë konstante kërkesat e tyre për dalje nga kafazi dhe, po ashtu, kërkesat për transmetim të seancave. Me sa duket, e bezdisur nga kjo, ka bërë edhe një rregullore që shkel hapur Kushtetutën për lirinë e medias dhe e ka zëvendësuar atë me një “kushtetutë” prej 100 faqesh të prodhuar nga kryetari i gjykatës, i cili deliron duke menduar se mund të sillet edhe me median jashtë gjykatës, siç sillet me ata të pandehurit që mban në kafaz në gjykatë dhe që preokupim kryesor ka të mos mësojë publiku se si është zhvilluar seanca.

Shoqatat e medias duhet ta çojnë këtë rregullore në Gjykatën Kushtetuese një orë e më parë dhe duhet, po ashtu, ta raportojnë në OSBE dhe në zyrën e Bashkimit Evropian në Tiranë, të cilat e kanë për detyrë të jenë garante të standardeve të transparencës së medias në drejtësinë për të cilën janë investuar.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.