Rrëzohet kërkesa e PD për debat mbi raportin e PE. Bardhi: Mazhoranca kërkon përjashtimin e opozitës. Balla: Diskutimi më 14 maj
Kuvendi rrëzon kërkesën e opozitës për debat mbi raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, me 72 vota kundër dhe 21 pro.
Partia Demokratike kishte kërkuar që në seancë plenare të zhvillohej debat për raportin e PE-së për vitin 2025, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të problematikave të evidentuara në dokument dhe rolin që Kuvendi duhet të luajë në procesin e integrimit europian.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në fjalën e tij në Kuvend u shpreh se raporti i Komisionit të Jashtëm të PE-së evidenton çështje që, sipas tij, duhen adresuar nga institucionet shqiptare. Ai theksoi se Kuvendi duhet ta kishte kthyer këtë dokument në një plan pune, duke akuzuar mazhorancën për përjashtim të opozitës nga proceset e integrimit.
“Në 5 maj komisioni i jashtëm i PE në mënyrë unanime ka miratuar raportin e 2025 për Shqipërinë ku evidentohen problematika që duhen trajtuar nga Kuvendi. Do ishte lajm I mirë që Kiuvendi të luantë gjatë 2025-ës një rol në përmbushjen e shqetësimeve të ngritura nga PE. Për fat të keq se ka luajtur këtë rol, por kontribuar që në raport të ketë dhe njolla të zeza për vendin.
PE ju kujton se imuniteti është për të mbrojtur institucionet. Lajmi mirë në raport është që vlerësohet kontributi i gjithë forcave politike në procesin e integrimit europian.
Kësisoj, do ishte e udhës që Kuvendi të diskutonte sot në këtë seancë në lidhje me këtë raport. Kishim mundësi ta shndërronim atë në një plan pune të Kuvendit të Shqipërisë. Meqë jemi te procesi i integrimit, ju sjell në vëmendje që mazhoranca në këtë Kuvend bën veprime për përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit, vazhdon me këtë rrugë dhe gjatë këtyre ditëve kur raporti bën thirrje për bashkëpunim mes palëve”, deklaroi Bardhi.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se rezoluta e PE-së pasqyron progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai deklaroi se dokumenti nuk është ende i miratuar përfundimisht dhe se Kuvendi ka planifikuar diskutimin për raportin në datën 14 maj, duke e konsideruar të parakohshëm debatin e kërkuar nga opozita.
“Pr.rezoluta reflekton qartazi përparimin dhe progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE që dëshmon qartazi arritjet e vendit përgjatë këtij viti kur raportohet.
Kjo është pr.rezolutë e PE-së mbi raportin e Komisionit Evropian të 2025-ës. Dokumentin PE do e miratojë vetë më 16-17 qershor. Na kërkohet të bëjmë ne diskutimin para se ta miratojë PE. Mos na bëni qesharak. Ne jemi gati ta bëjmë kur ta doni ju por ne e kemi programuar më 14 maj kemi diskutimin e raportit të komisionit dhe raportit vjetor që përgatit Shqipëria”, deklaroi Balla.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.