Rritet interesi për thesaret e trashëgimisë, Qendra Muzeore Berat priti mbi 61 mijë vizitorë
Trashëgimia historike dhe kulturore e Beratit vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë, duke e bërë qytetin e një mbi një dritareve si një prej destinacioneve kryesore të turizmit kulturor në Shqipëri.
Të dhënat e shtatëmujorit të parë të vitit 2026 dëshmojnë për një interes në rritje për të vizituar Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeun Etnografik.
Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, bëri të ditur për ATSH-nëse gjatë periudhës janar-korrik muze “Onufri” u vizitua nga 58 912 vizitorë, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2025 numri i vizitorëve ishte 50 615. Gjatë muajit maj u regjistrua shifra më e lartë deri tani, me mbi 17 mijë vizitorë, por edhe gjatë muajve qershor dhe korrik ka pasur një fluks të lartë vizitorësh”.
Sipas Paskut, numri i vizitorëve në muzeun “Onufri” është rritur me 16% krahasuar me shtatëmujorin e një viti më parë, ndërsa nga vizitorët e huaj kryesojnë polakët, francezët, spallonjët, italianët, gjermanët, holandezët etj.
Në shtatë muajt e parë të vitit rritje është shënuar edhe në të ardhurat e biletave të muzeut “Onufri”.
“Në shtatëmujorin e këtij viti, ato arritën në 14 788 740 lekë, duke shënuar një rritje prej 20% krahasuar me vitin 2025”, tha Pasku.
Interes të lartë gjatë muajve qershor-korrik është shënuar edhe në Muzeun Etnografik.
“Që prej rihapjes së tij në qershor Muzeu Etnografik ka tërhequr mbi 3000 vizitorë, ku më shumë se 80% e tyre janë turistë të huaj nga të gjitha kontinentet”, tha Pasku.
Berati, i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, vijon të jetë një pikë e rëndësishme e turizmit kulturor, ku pasuria monumentale, muzetë dhe historia e qytetit ndërthuren me përvojën turistike.
“Rritja e numrit të vizitorëve dhe e të ardhurave gjatë këtij viti dëshmon jo vetëm për interesin në rritje ndaj trashëgimisë së Beratit, por edhe për potencialin që ka turizmi kulturor në zhvillimin ekonomik të qytetit”, theksoi Pasku.
Muzeumet mbeten një prej pikave më të rëndësishme të itinerarit të vizitorëve që zgjedhin Beratin, duke kontribuar në promovimin dhe ruajtjen e vlerave të tij historike e kulturore.\
Muzeu Etnografik i Beratit po kthehet në një nga pikat më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj. I vendosur në lagjen historike të Mangalemit, muzeu pasqyron jetën, kulturën, ekonominë dhe traditat e qytetit gjatë dy shekujve të fundit. Pas rikonstruksionit të fundit në muze janë të ekspozuara mbi 1300 artefakte.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.