Rritet mbështetja e popullsisë për anëtarësimin e Malit të Zi në BE
Sipas një sondazhi të fundit, 62 për qind e popullsisë së Malit të Zi mbështet anëtarësimin e shtetit të tyre në Bashkimin Evropian (BE).
Në një konferencë për shtyp, në Podgoricë u prezantuan rezultatet e hulumtimit të realizuar në të gjithë Malin e Zi nga Qendra e Demokracisë dhe të Drejtave Njerëzore (CEDEM).
Sipas rezultateve të këtij hulumtimi, mbështetja e shtetasve të Malit të Zi për anëtarësimin e shtetit të tyre në BE në gjashtë muajt e fundit është rritur për 6 për qind dhe ka arritur në 62,2 për qind. Kundër anëtarësimit janë shprehur 21,4 për qind, ndërsa 16,4 për qind nuk kanë dhënë ndonjë mendim për këtë çështje.
Pjesëmarrësit e sondazhit poashtu u pyetën për kandidatët e zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen këtë vit. 39,7 për qind e pjesëmarrësve janë shprehur se si president të vendit duan ta shohin ish-kryeministrin Milo Djukanoviç, ndërsa 30 për qind kanë shprehur mbështetje për liderin e Demokratëve, Aleksa Beçiç.
Mali i Zi, i cili në vitin 2006 ka shpalluar pavarësinë duke u ndarë nga Serbia, në vitin 2008 ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ky shtet në vitin 2010 mori statusin e “shtetit kandidat”, ndërsa në vitin 2012 zyrtarisht filloi negociatat për anëtarësim.
Mali i Zi ka hapur 30 prej 33 kapitujve të negociatave për anëtarësim dhe tani shihet si shteti më i afërt për anëtarësim në BE.