RUSI – Mbyllet ”Novaya Gazeta” bastioni historik i gazetarisë së pavarur
MOSKË, 30 tetor /ATSH-AFP/ – ”Novaya Gazeta”, një bastion historik i gazetarisë së pavarur në Rusi, e cila kundërshtoi hapur ofensivën ruse kundër Ukrainës, njoftoi sot mbylljen nën presionin e autoriteteve ruse.
“Novaya Gazeta’ po pushon së ekzistuari. (…) Autoritetet ruse, shërbimet speciale ruse, e kanë detyruar stafin editorial të ndërpresë operacionet”, deklaroi kryeredaktori i ”Novaya Gazeta”, Sergei Sokolov, në një video në YouTube.
Në një deklaratë të veçantë, stafi editorial pretendoi se kishte marrë një njoftim dëbimi që e detyronte të lironte zyrat e saj historike në Moskë deri më 9 nëntor, ndërsa njëkohësisht bllokonte sistemin që i lejonte të merrte donacione, duke e privuar atë plotësisht nga financimi.
Që kur dërgoi trupa në Ukrainë, Rusia ka vendosur një nivel të rreptë censure që të kujton epokën sovjetike, duke detyruar shumicën dërrmuese të gazetarëve të pavarur të shkojnë në mërgim.
”Novaya Gazeta”, e themeluar në vitin 1993, klasifikohet nga Moska si “agjente e huaj” – një etiketë e përdorur për të shtypur çdo zë disident.
“Tridhjetë vjet jetë të ndara me vendin dhe qytetarët e tij do të marrin fund, duke na lënë të varfër, pa mjete mbështetjeje, nën kërcënimin e vazhdueshëm të shtypjes”, deklaruan redaktorët e gazetës.
Më herët këtë muaj, kryeredaktori i saj, Sergei Sokolov, u mor në pyetje dhe autoritetet ruse kontrolluan shtëpinë e tij si pjesë e një çështjeje penale kundër njërit prej kolegëve të tij, Oleg Roldugin, i cili u arrestua në prill dhe u vu në arrest shtëpiak në pritje të gjyqit.
Rusia ka intensifikuar goditjen e saj ndaj medias së pavarur që nga fillimi i ofensivës së saj në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Që në vitin 2022, autoritetet i revokuan licencën ”Novaya Gazeta”-s, e cila kishte kundërshtuar hapur fushatën ushtarake.
Gazeta ndërpreu botimin e saj të shtypur, por vazhdoi të publikonte përmbajtje në faqen e saj të internetit.
Një nga bashkëthemeluesit e ”Novaya Gazeta” dhe ish-kryeredaktori i saj, Dmitry Muratov, ishte bashkëfitues i çmimit Nobel për Paqen në vitin 2021 për “përpjekjet e tij për të ruajtur lirinë e shprehjes” gjatë drejtimit të botimit./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.