Samiti i “Accenture Greqi” në Tiranë: Si inteligjenca artificiale po transformon bizneset
Për të dytin vit radhazi, në kryeqytet u zhvillua Samiti për Inteligjencën Artificiale ndërsa zhvillimi i shpejtë i kësaj teknologjie, si dhe krijimi i një platforme që ndihmon sipërmarrjet, ishin pjesë e diskutimeve në panelet e organizuara nga Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri.
Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri, në partneritet me Accenture Greqi, përcolli nga Piramida e Tiranës të dhëna dhe njohuri mbi mënyrat se si mund të transformohet biznesi përmes inteligjencës artificiale. Për të dytin vit radhazi, në këtë samit u diskutua për mundësitë e shumta që ofron AI në operacionet e përditshme dhe zhvillimin e biznesit.
Drejtori menaxhues dhe konsulent i Accenture, Fotis Panagiotopoulos, tha se inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën e funksionimit të bizneseve në mbarë botën.
“Jetojmë në një kohë kur inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën e operimit në të gjithë botën dhe kjo nuk po ndodh në dekada, por në vite. Ky samit shtron pyetje të rëndësishme se si AI aplikohet në praktikë, me sfida reale, me shembuj dhe me zgjidhje konkrete”, tha Fotis Panagiotopoulos, Drejtor menaxhimi dhe konsulent në Accenture.
Me temë “Inteligjenca Artificiale në praktikë”, këtë vit samiti shpalosi ide konkrete, të cilat janë adaptuar nga disa sektorë biznesi në Shqipëri dhe që do të integrohen në një platformë konkrete, të iniciuar nga Shoqata e Biznesit Grek.
“Këtë vit, së bashku me bashkëpunëtorët tanë vijmë me raste konkrete, duke zgjedhur disa sektorë si bankat, telekomunikacioni, por edhe sektorë me interes si burimet njerëzore. Shoqata e Biznesit Grek e ka si mision krijimin e kësaj platforme”, u shpreh presidenti i HBAA-së, Denald George Tafani.
Në sistemin bankar, këtë model transformimi po e udhëheq Raiffeisen Bank, e cila sipas Drejtorit të Përgjithshëm, Christian Canacaris, po krijon vlerë të shtuar.
“Inteligjenca artificiale ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me sistemin bankar, si marrin shërbime apo kredi. Por padyshim, pa njerëzit nuk mund të bëjmë këtë transformim. Për këtë kemi zhvilluar trajnime që ata të mësojnë dhe të mos kenë frikë, sepse nëpërmjet inteligjencës artificiale i japim vlerë punës së tyre”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank, Christian Canacaris.
Në diskutimet ku morën pjesë përfaqësues të qeverisë dhe biznesit, ekspertë të inteligjencës artificiale treguan përvoja konkrete se si teknologjia e përparuar, e kombinuar me kreativitetin dhe inovacionin njerëzor, mund të përdoret në mënyra reale dhe me ndikim, duke i kthyer idetë në zgjidhje praktike dhe zhvillim.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.