“S’e kam takuar kurrë personalisht Ballukun”- Binaj i përgjigjet Spiropalit: Ju dhe bashkëshorti keni kërcënuar Admin
Menjëherë pas deklaratave të deputetes socialiste Elisa Spiropali, që akuzoi kreun e Tatim-Taksave, Ilir Binaj për lidhje me ish-ministren Belinda Balluku, ka ardhur edhe reagimi publik i këtij të fundit.
Binaj shpjegon se nuk e ka takuar kurrë personalisht Ballukun, përveçse takimeve publike dhe zyrtare, ndërsa i kërkon Spiropalit që të mos ia përmendë dhe baltosë emrin.
Binaj sqaroi se administrata Tatimore është vendosur nën presion dhe kërcënime nga Spiropali dhe bashkëshorti i saj, për shkak të gjetjeve të evazionit fiskal masiv në bizneset e familjes së saj. Ai shton se rasti i është referuar edhe organeve kompetente.
Deklarata publike e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj:
“Unë jam një qytetar shqiptar që i jam përgjigjur thirrjes për t’i shërbyer vendit pas vitesh në SHBA, ku kam punuar në fushën e auditimit financiar.
Nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës.
Sot kam vendosur të bëj këtë deklarim publik, pas një sulmi mediatik që më ka ardhur, jo për herë të parë, nga deputetja Elisa Spiropali.
Ajo që zonja deputete nuk tha, është se Administrata Tatimore e Republikës së Shqipërisë është vendosur nën një presion të paligjshëm nga deputetja në fjalë dhe bashkëshorti i saj, për llogari të bizneseve familjare.
Administrata Tatimore, në funksion të mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj evazionit, ka ushtruar kontrolle në sektorin e ndërtimit, në përputhje me planet e saj strategjike dhe operacionale. Kontrollet e ushtruara, bazuar në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte që lidhen me znj. Spiropali.
Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese.
Kontrollet e ushtruara kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha. Për këtë arsye dhe pa asnjë lloj përjashtimi diskriminues, por sipas procedurave tatimore të ndjekura me të gjithë tatimpaguesit e dyshuar për evazion, dosjet po u referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme.
I kërkoj znj. Spiropali të mos e përmendë më emrin tim, sepse unë jam një nëpunës i ndershëm i shtetit që nuk merret me politikë dhe nuk lejoj askënd të cenojë dinjitetin tim dhe të familjes sime për shkak të detyrës.
Znj. Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore.
Dr. Ilir Binaj, CPA, CGMA
Drejtor i Përgjithshëm”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.