Sindikata e Universiteteve nis bojkotin e mësimit në gjithë vendin, mbështet protestat studentore
Sindikata e Universiteteve njoftoi të mërkurën nisjen e bojkotit të mësimdhënies në të gjithë vendin, duke kërkuar përmirësimin e kushteve në arsimin e lartë, transparencë dhe masa konkrete për zgjidhjen e problematikave të ngritura nga studentët dhe stafi akademik.
Kryetari i Sindikatës, Sandër Kovaçi, deklaroi nga sheshi pranë Politeknikut, se bojkoti ka nisur më 21 tetor dhe do të vijojë deri në një vendim të mëtejshëm. Vendimi u miratua njëzëri nga kryesia e Sindikatës gjatë mbledhjes së zhvilluar më 20 tetor, në sheshin ku po mbahen protestat studentore.
Sipas njoftimit të Sindikatës së Universiteteve, ndërprerja e procesit mësimor synon të mbështesë kërkesat e studentëve dhe të kundërshtojë dhunën ndaj tyre, në një kohë kur protestat në Tiranë po vijojnë.
Mes arsyeve të bojkotit, Sindikata rendit:
- Problematikat e vazhdueshme në kushtet e mësimdhënies dhe zhvillimin e procesit akademik.
- Pasigurinë e studentëve dhe stafit akademik lidhur me vijimin e vitit akademik.
- Mungesën e dialogut institucional dhe të zgjidhjeve konkrete për shqetësimet e ngritura.
- Pakënaqësinë e studentëve ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike, korrupsionit dhe mungesës së meritokracisë.
Kërkesat kryesore të Sindikatës përfshijnë:
- Përmirësimin e menjëhershëm të kushteve të studimit dhe punës së pedagogëve.
- Hartimin e masave konkrete dhe garantimin e transparencës institucionale.
- Trajtimin e barabartë dhe dinjitoz të çdo studenti.
- Përmirësimin e kushteve të arsimimit dhe mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë.
Pedagogët iu bashkuan sërish të mërkurën protestës së studentëve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ndërsa përfaqësuesit e Sindikatës u kërkuan drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë të marrin përgjegjësitë për trajtimin e kërkesave.
Vendimi për bojkot përfshin universitetet në nivel kombëtar, ndërsa Sindikata nuk ka përcaktuar një datë për rifillimin e mësimdhënies.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.