Senatorja amerikane: SHBA duhet të përqendrohet te ekonomia e stabiliteti në Ballkanin Perëndimor
Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, ka thënë të premten në Tiranë se Shtetet e Bashkuara duhet ta përqendrojnë politikën e vet karshi Ballkanit Perëndimor në tri fusha: mundësitë ekonomike, stabilitetin dhe institucionet demokratike.
Shaheen, anëtare e rangut më të lartë të pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, po e udhëheq një delegacion të Kongresit amerikan gjatë një vizite disaditore në Ballkanin Perëndimor.
Ajo e vizitoi Bosnje e Hercegovinën dhe tani po qëndron në Shqipëri, para se të udhëtojë drejt Kosovës të hënën. Ajo do t’i vizitojë edhe Malin e Zi e Kroacinë.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, ku u takua me liderë të rinj për të shtjelluar rolin e gjeneratës së ardhshme në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë, Shaheen theksoi rëndësinë e angazhimit ekonomik amerikan, duke përfshirë heqjen e barrierave tregtare, zgjerimin e qasjes në tregje dhe mbështetjen për bizneset amerikane dhe sipërmarrësit shqiptarë.
“Dua t’i jap meritat kësaj administrate në Uashington. Ajo i ka kushtuar më shumë vëmendje angazhimit ekonomik amerikan, dhe mendoj se kjo është e mirë për rajonin”, tha Shaheen për administraten Trump.
Por ajo shtoi se “diplomacia amerikane duhet t’ua hapë dyert bizneseve amerikane, por nuk duhet të vendosë se cilat biznese amerikane duhet të kalojnë nëpër ato dyer”.
Muajin e kaluar, zhvilluesi amerikan i projekteve të gazit të lëngshëm natyror (LNG), Argent LNG, nënshkroi memorandum mirëkuptimi me Qeverinë e Shqipërisë për ta vlerësuar ndërtimin e një terminali në tokë për ruajtjen dhe rigazifikimin e LNG-së, me kapacitet deri në 5 milionë tonë në vit.
Disa shtete të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje me kompani amerikane dhe SHBA-në për të zgjeruar rrjetin e gazit. Në mesin e tyre Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në korrik se vendi po e shqyrtonte mundësinë për ta përdorur gazin amerikan në të ardhmen, mes thirrjeve të vazhdueshme për t’iu bashkuar projektit të aleatit të vet më të madh për furnizim me LNG.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.