SHBA feston 250-vjetorin e Pavarësisë. Trump: Amerika, gjithmonë e para!
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënuan 250-vjetorin e lindjes, me fishekzjarrë, avionë dhe dronë, me motin që nuk ishte më i miri, diku me shi e diku i dominuar nga i nxehti brutal që zgjat prej ditësh.
“Ëndrra amerikane është kthyer”, tha presidenti Donald Trump përpara një turme të madhe të mbledhur në parkun National Mall të Uashingtonit, përpara se spektakli i madh i fishekzjarrëve të ndizte qiellin.
Dita e 4 Korrikut shënon përkujtimin e 13 kolonive amerikane që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë në vitin 1776 për t’i dhënë fund sundimit britanik.
Vendi, politikisht i përçarë, e kritikoi Trump për faktin se e ktheu veten në një figurë qendrore të kësaj dite dhe se e politizoi atë duke i dhënë jetë eventit festiv të pagëzuar me emrin “Pavarësia 250”, që u mbajt i ndarë nga festimet e caktuara nga Kongresi.
Tema të ndryshme si refuzimi i komunizmit, mbështetja e Aktit Shpëtoni Amerikën, por edhe e drejta e armëmbajtjes u përmblodhën në fjalimin e Trump, pak përpara mesnate në eventin në fjalë.
“Jetë të gjatë kauzës së pavarësisë. Le të mbretërojë përgjithmonë! Ne do të jemi gjithmonë të parët dhe nuk do ta lëmë vendin tonë të rrëzohet! Ne do të jemi gjithmonë më të mirët! Themeltarët tanë, jo vetëm fituan lirinë tonë, por e garantuan atë me dokumentin më të madh të hartuar ndonjëherë: Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Dhe për shkak të gjenialitetit të tyre, ne jemi ende njerëzit më të mirë në planet edhe pas 250 vitesh”, tha Trump.
Në mbyllje, presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara u tha të pranishëmve se, “ky është vetëm agimi i epokës së artë të Amerikës”, me fatin e saj “të shkruar nga Zoti”.
Eventi kulmoi me shfaqjen e fishekzjarrëve, që u mbyll rreth orës 1 të mëngjesit, me njerëzit e mbledhur në Capitol Hill duke brohoritur dhe më pas duke u drejtuar për tek daljet e perimetrit për shkak të një shiu të lehtë.
Festimet, që përfshinë edhe fluturime të avionëve ushtarakë, një koncert dhe pikërisht fjalimin e presidentit, u vonuan për shkak të një stuhie rrufesh që çuan në evakuimin e National Mall, në orët e para të mbrëmjes.
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.