SHBA propozon tarifa të reja doganore ndaj BE-së, Kinës dhe vendeve të tjera
UASHINGTON, 25 nëntor, ATSH/ Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, njoftoi sot një paketë të re tarifash doganore ndaj importeve nga Kina, Bashkimi Evropian, Tajvani dhe 11 vende të tjera, në përgjigje të mbiprodhimit industrial që, sipas Uashingtonit, ka dëmtuar kompanitë amerikane, raportoi Associated Press (AP).
Sipas Zyrës së Përfaqësuesit të SHBA-së për Tregtinë (USTR), tarifat e propozuara variojnë nga 15% deri në 35% dhe mund të prekin rreth 60% të importeve amerikane.
Në një intervistë për CNBC, përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, deklaroi se nuk pret që tarifat e reja të tronditin ekonominë globale.
Sipas Mark Williams, kryeekonomist për Azinë në kompaninë e analizave ekonomike Capital Economics, masat ishin kryesisht të pritshme dhe ndikimi i tyre ekonomik pritet të jetë i kufizuar.
Sipas njoftimit të USTR-së, për produktet nga Bashkimi Evropian parashikohet një nivel tarifor prej 15%, me përjashtime për kategori të caktuara mallrash
Kina dhe Brazili pritet të jenë ndër vendet më të prekura nga masat e reja.
Për disa produkte kineze, tarifa shtesë prej 20% do t’u shtohet tarifave ekzistuese, duke e çuar nivelin e përgjithshëm të taksimit në 45%.
Për Brazilin, pas ngecjes së negociatave tregtare, SHBA-ja propozon tarifa më të larta për sheqerin e papërpunuar dhe të rafinuar, si dhe një tarifë të re prej 10% për avionët, masë që do të prekte kompaninë braziliane të prodhimit të avionëve, Embraer.
Vietnami përballet me një tarifë të propozuar prej 20%, ndërsa për importet nga India, administrata amerikane propozon tarifa deri në 25%, me mundësi uljeje në 17% nëse Nju Delhi dhe Uashingtoni arrijnë një marrëveshje tregtare, sipas Zyrës së Përfaqësuesit të SHBA-së për Tregtinë (USTR).
Ministria indiane e Tregtisë kundërshtoi pretendimet e Uashingtonit për mbikapacitet industrial, duke theksuar se çështjet tregtare duhet të trajtohen në kuadër të negociatave dypalëshe, raportoi Reuters.
Ndër vendet e tjera të prekura janë Bangladeshi, Kamboxhia, Indonezia, Malajzia, Singapori, Zvicra dhe Tajlanda, ndërsa Meksika dhe Norvegjia janë ende objekt hetimesh tregtare.
Tarifat e reja nuk do t’u shtohen atyre të vendosura më parë për automjetet, çelikun dhe aluminin.
Administrata amerikane ka propozuar gjithashtu përjashtime për gjysmëpërçuesit dhe produkte të tjera të teknologjisë së lartë nga Tajvani dhe Koreja e Jugut, të rëndësishme për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Masat mbështeten në nenin 301 të Ligjit për Tregtinë të vitit 1974, i cili autorizon presidentin amerikan të vendosë tarifa dhe sanksione ndaj vendeve që konsiderohet se zbatojnë praktika tregtare të padrejta ose diskriminuese.
Përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, deklaroi se shumë prej partnerëve tregtarë të SHBA-së kanë adoptuar praktika që shtrembërojnë tregun, duke favorizuar ekonomitë e tyre dhe dobësuar industrinë prodhuese amerikane.
Sipas ekonomistëve, tarifat e propozuara zëvendësojnë në masë të madhe ato të vendosura në prill të vitit të kaluar dhe pritet të kenë një ndikim të kufizuar në inflacion dhe në rritjen ekonomike.
Masat kanë shkaktuar kritika nga demokratët dhe përfaqësuesit e bizneseve të vogla, ndërsa pritet të përballen edhe me sfida ligjore.
Administrata amerikane do të zhvillojë konsultime me sektorët industrialë të prekur përpara miratimit përfundimtar të masave, të cilat, sipas ekspertëve të tregtisë, mund të hyjnë në fuqi në shkurt të vitit 2027.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.