SHBA – “Tërmet” i ri në Pentagon: dorëhiqet sekretari i Ushtrisë pas përplasjeve me Hegseth
– Sekretari i Ushtrisë amerikane, Dan Driscoll, ka paraqitur dorëheqjen te presidenti Donald Trump, pas muajsh përplasjesh me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke shtuar pasigurinë mbi drejtimin e një prej strukturave kryesore të Forcave të Armatosura amerikane., shkruan repubblica It.
Driscoll, i cili kishte marrë detyrën në shkurt 2025, largohet në një moment veçanërisht të ndjeshëm për Pentagonin, ndërsa ushtria amerikane është e angazhuar në operacione në Lindjen e Mesme dhe përballet me një seri ndryshimesh në nivelet e larta të komandës.
Burime të cituara nga mediat amerikane bëjnë të ditur se tensionet mes Driscoll dhe Hegseth ishin përqendruar te drejtimi dhe modernizimi i Ushtrisë, si dhe te largimi i disa drejtuesve të lartë ushtarakë.
Ndër çështjet kryesore ishte shkarkimi i gjeneralit Randy George, shefit të Shtabit të Ushtrisë, me të cilin Driscoll kishte bashkëpunuar ngushtë për programet e modernizimit, përfshirë përdorimin e teknologjive të dronëve.
Driscoll kishte luajtur gjithashtu rol në përpjekjet diplomatike të administratës Trump për luftën në Ukrainë.
Ai konsiderohej një figurë e afërt me nënpresidentin JD Vance, me të cilin kishte studiuar në Yale.
Dorëheqja e tij vjen pas largimit të disa drejtuesve të tjerë të lartë ushtarakë gjatë mandatit të Hegseth.
Mes tyre janë gjenerali Randy George dhe gjenerali Christopher Donahue, duke nxitur shqetësime në Kongres për stabilitetin e udhëheqjes së Pentagonit.
Shtëpia e Bardhë ka vlerësuar punën e Driscoll në forcimin e gatishmërisë ushtarake, modernizimin e Ushtrisë dhe përpjekjet diplomatike lidhur me Ukrainën, ndërsa nuk ka dhënë një arsye zyrtare për dorëheqjen.
Largimi i Driscoll shënon një tjetër goditje për udhëheqjen e Pentagonit dhe rikthen debatin në Uashington mbi mënyrën e menaxhimit të ndryshimeve në hierarkinë ushtarake amerikane nën administratën Trump



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.