SHBA – Trumpi falënderon Putinin për lirimin e Stephen Hubbard: Nuk dhamë asgjë në këmbim
UASHINGTON, 21 tetor /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump ka falënderuar presidentin rus Vladimir Putin për lirimin e shtetasit amerikan, Stephen Hubbard, i cili ishte burgosur me akuzën se kishte luftuar përkrah forcave ukrainase. Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk u detyruan të jepnin asgjë në këmbim të lirimit të tij.
“Nuk ishte i nevojshëm asnjë shkëmbim të burgosurish për këtë lirim”, shkroi sot Trump në platformën e tij “Truth Social”, duke e cilësuar këtë veprim si një situatë të paprecedentë për Rusinë.
Trump tha se gjatë një bisede telefonike me Putinin javën e kaluar, i kishte kërkuar personalisht lirimin e Stephen Hubbard.
“Stephen është duke u kthyer në shtëpi dhe së shpejti do të jetë pranë familjes së tij”, shkroi Trump.
Ai kritikoi gjithashtu administratën e paraardhësit të tij, Joe Biden, për mosarritjen e lirimit të Hubbard.
Putin njoftoi për lirimin e tij gjatë bisedimeve me të dërguarin amerikan Steve Witkoff, të zhvilluara sot në Shën Peterburg. Ai tha se Hubbard ndodhej tashmë në aeroportin e qytetit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Hubbard ishte liruar për arsye humanitare.
Në vitin 2024, Hubbard u dënua me një periudhë të gjatë burgimi, pasi u akuzua se kishte shërbyer si mercenar përkrah forcave ukrainase kundër trupave ruse.
Witkoff falënderoi Putinin për lirimin, duke thënë se familja e Hubbard dhe populli amerikan e mirëpritën këtë vendim.
Në gusht, Putini liroi edhe një tjetër të burgosur amerikan, ish-ushtarin Robert Gilman, pa kërkuar në këmbim lirimin e ndonjë shtetasi rus.
Ky veprim përbënte një përjashtim nga praktika e zakonshme e shkëmbimit të të burgosurve. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.