Shehi godet Berishën: Ka mbyllur ciklin politik, nuk ka çfarë t’i ofrojë më opozitës
Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka komentuar drejtimin e opozitës dhe raportin e tij me Sali Berishën, duke deklaruar se nuk e mbështet atë si lider të opozitës.
I ftuar në emisionin “Real Story”, Shehi tha se qëndrimi i tij ndaj Berishës nuk lidhet me çështjen e “non grata”, por me bindjen se ish-kryeministri e ka përfunduar ciklin e tij politik.
“Nuk jam me Berishën dhe nuk më pëlqen që Berisha drejton opozitën, jo se është ‘non grata’, se ky është muhabet për ata që janë fanatikë të një partie dhe nuk kuptojnë gjë. Berisha, them unë, ka bërë ciklin e vet dhe nuk ka çfarë ofron më”, u shpreh Shehi.
Ai theksoi se statusi “non grata”, sipas tij, nuk e ka penguar Berishën të vijojë aktivitetin politik, duke kujtuar se ai u zgjodh sërish në krye të Partisë Demokratike.
“Non grata nuk është se e pengoi për të bërë politikë. Me non grata u bë kryetar i partisë. Unë uroj që, inshalla, i është hequr, sepse ka moshën dhe funksionin që ka pasur”, tha Shehi.
Kreu i LZHK-së u ndal edhe te marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke argumentuar se raporti me SHBA-në duhet të trajtohet si një marrëdhënie mes dy shteteve dhe jo në varësi të interesave apo problemeve personale të një politikani.
“Rëndësia ka që raporti me Amerikën duhet të kalojë mbi hallin personal. Është raport me shtet. Ti nuk mund ta shash Amerikën kur e ke punën keq vetë, ose ta lavdërosh kur e ka mirë me ty. Amerika është Amerikë”, deklaroi Shehi.
Ai nënvizoi se marrëdhëniet me SHBA-në nuk duhet të varen nga ndryshimet politike në Washington.
“Fitojnë republikanët, fitojnë demokratët, nuk kemi punë fare. Na ka dalë për zot sa herë kemi pasur hall, ndaç për Shqipërinë, ndaç për Kosovën”, përfundoi Dashamir Shehi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.