“Shfaqja e Cirkut” vlerësohet në Festivalin Ndërkombëtar të Artit të Kukullave në Mostar
Teatri Kombëtar i Kukullave përfaqësoi Shqipërinë në edicionin e gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Artit të Kukullave – FLUM, në Mostar të Bosnjë-Hercegovinës, ku shfaqja “Shfaqja e Cirkut”, me regji të Klajd Ymerit, u vlerësua me çmimin për artikulimin më të mirë të kukullës.
Ky vlerësim vjen si rezultat i veçantisë artistike të shfaqjes, e cila ndërtohet tërësisht pa dialogje, duke e vendosur në qendër të interpretimit plastikën, lëvizjen dhe artikulimin e kukullës. Përmes gjesteve, lëvizjeve dhe shprehjes skenike, artistët arrijnë të përcjellin emocionet dhe të komunikojnë me publikun, duke dëshmuar potencialin shprehës të teatrit të kukullave përtej fjalës.
Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kukullave, Melsi Qirici u shpreh se, “Shfaqja e Cirkut” është një nga premierat e këtij viti, e cila po vijon rrugëtimin e saj në festivale ndërkombëtare.
Qirici shprehu krenarinë për artistët dhe për çdo duartrokitje që ata morën duke përfaqësuar Shqipërinë.
Pjesëmarrja në FLUM përbën një tjetër mundësi për afirmimin e artit shqiptar të kukullave në skenën ndërkombëtare.
Teatri i Kukullave vijon kështu angazhimin për të sjellë produksione të reja. Së shpejti pritet që spektatorët e vegjël të shohin në këtë teatër, shfaqjen “Mbretin luan”, një projekt i pazakontë, me kukulla anatomike të disa teknikave, të cilat do të vijnë për fëmijët në një sallë që do të transformohet në safari nga projeksionet imersive dhe produksioni më i madh i realizuar ndonjëherë, me 11 aktorë në skenë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.