Morali i shkatërruar i qeverisjes

Pezullimi nga detyra i zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, pas akuzave të ngritura ndaj saj për shkelje të barazisë në tendera, ka hapur një debat shumë më të thellë sesa vetë rasti penal. Nuk është fjala më për një çështje individuale, por për një simptomë të një sëmundjeje të vjetër: moralin e shkatërruar të qeverisjes në Shqipëri.
Në çdo vend me standarde minimale të etikës publike, një zyrtar i lartë, sapo vihet nën hetim për çështje që lidhen me abuzimin e pushtetit, largohet vetë nga detyra për t’i hapur rrugë hetimeve të pavarura, pa presion politik, pa alibi procedurale dhe pa u fshehur pas imuniteteve të pushtetit. Dorëheqja nuk përbën pranim fajësie, por respekt për institucionet dhe për publikun të cilit i shërben.
Në Shqipëri, kjo kulturë përgjegjësie mungon. Në vend të reflektimit, zgjidhet përplasja; në vend të moralit, ngrihet muri i politikës.
Reagimi i kryeministrit Edi Rama pas vendimit të Gjykatës së Posaçme ,duke e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe duke argumentuar se pezullimi i një ministri “bllokon gjithë dikasterin” , e zhvendos debatin nga thelbi në periferinë e tij. Pse duhet të arrijmë deri në pezullim gjyqësor që një zyrtar i lartë të largohet nga detyra? Pse duhen interpretime juridiko-administrative për të zëvendësuar një akt të thjeshtë etik? Dhe mbi të gjitha: si ka mundësi që një ministri e tërë të jetë kaq e personalizuar sa funksionimi i saj të varet nga një individ i vetëm?
Argumenti se një ministri “bllokohet” kur ministri pezullohet, është pranim i një tjetër problemi të madh: kapja totale e administratës nga politika, mungesa e strukturave funksionale dhe centralizimi i frikshëm i vendimmarrjes. Në një shtet normal, ministria nuk ndalet sepse ndalet ministri. Në një shtet normal, ka zëvendës, sekretarë të përgjithshëm, hallka të ligjshme që garantojnë vazhdimësinë. Në një shtet normal, kriza e një individi nuk kthehet në krizë të institucioneve.
Por Shqipëria po përjeton pikërisht këtë: personalizim të pushtetit, dobësim të institucioneve dhe relativizim të përgjegjësisë. Mbi të gjitha, po përjeton mungesën e një morali minimal në qeverisje , moral që vendos vijën mes pushtetit dhe shtetit, mes interesit publik dhe interesit privat, mes përgjegjësisë dhe arrogancës.
Sot nuk ka rëndësi se çfarë thotë njëra palë apo tjetra, se çfarë interpretimi juridik i jepet një vendimi gjyqësor apo se sa gjatë do të zgjasë procesi. Rëndësi ka një e vërtetë e qartë: deri kur në Shqipëri zyrtarët e lartë do të vazhdojnë të mbahen pas karriges deri në sekondën e fundit, edhe kur kjo karrige është nën hijen e hetimeve?
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje tregon nivelin e moralit të qeverisjes. Dhe pikërisht ky nivel është sot i rrënuar. Derisa të rikthehet kultura e përgjegjësisë, derisa dorëheqja të shihet si akt dinjiteti e jo si dobësi, derisa administrata të jetë e fortë dhe institucionet të jenë më të rëndësishme se individët, Shqipëria do të vazhdojë të jetojë në paradoks: me ligje të shkruara bukur dhe me moral politik të shkatërruar.
Ky është problemi i vërtetë. Dhe kjo është arsyeja pse çdo debat rreth “kompetencave”, “pezullimeve”, apo “interpretimit kushtetues” është vetëm një tentativë për të shmangur thelbin: qeverisja pa moral çon në krizë jo vetëm një ministri, por gjithë shtetin.


