Shpërthim gazi në Plakë të Athinës: shembet pjesërisht ndërtesa dykatëshe, një i plagosur lehtë
Policia shpëtoi dy gra nga ndërtesa ngjitur; makinat e parkuara u dëmtuan nga rrënojat
Një ndërtesë dykatëshe u shemb pjesërisht në qendër të Athinës të premten, pas një shpërthimi të fuqishëm që, sipas mediave lokale, me shumë gjasa u shkaktua nga një rrjedhje gazi.
Shpërthimi ndodhi në zonën turistike të Plakës, në zemër të Athinës, pranë Akropolit dhe Tempullit të Zeusit. Ai ishte aq i fuqishëm sa u dëgjua në gjithë qendrën e qytetit, ndërsa pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë pllaka betoni që varen në ajër.
Disa makina të parkuara në rrugën e ngushtë poshtë ndërtesës u dëmtuan nga rrënojat që ranë. Një person, një kalimtar, mbeti i plagosur lehtë si pasojë e shpërthimit.
Policia njoftoi se ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin dy gra që kishin mbetur të bllokuara në ndërtesën ngjitur. Në vendngjarje ndërhynë brigadat e zjarrit dhe forcat e policisë, të cilat kanë rrethuar zonën.
Shkaku i saktë i shpërthimit mbetet ende nën hetim, por dyshimet e para bien mbi një rrjedhje gazi.
Burimi: Reuters



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.