Shqipëria, destinacion pune për të rinj edhe nga Azia – Tv Klan
Janë prej kohësh në vendin tonë dhe kanë mësuar të flasin edhe shqip. Janë të rinj nga shtete të ndryshme që kanë zgjedhur të punojnë në Shqipëri.
Punojnë në sektorin e turizmit, hotelerisë, gastronomisë apo shërbimeve.
Çdo ditë e më shumë bizneset po mbështeten te shtetasit e huaj për të plotësuar mungesat në staf. E kanë vlerësuar si zgjidhje për të përballuar fluksin në rritje të vizitorëve në vendin tonë.
Numri i të huajve që punojnë në sektorë të ndryshëm është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Nëse më parë raste të tilla ishin të pakta, tani ka biznese që pjesën për të madhe të të punësuarve e kanë shtetas të huaj.
Të punësuarit janë nga vende të ndryshme. Sipas pronarëve të bizneseve pjesa më e madhe e tyre janë nga India dhe Nepali.
Vetë të huajt thonë se kur kanë mbërritur në Shqipëri e kanë patur të vështirë. Por me kalimin e kohës janë përshtatur. Thonë se në vendin tonë ndihen shumë mirë dhe vlerësojnë mikpritjen.
Situata është e njëjtë përgjatë gjithë vijës bregdetare të qarkut të Vlorës. Bizneset kanë lidhur kontaktet me agjenci që merren me rekturimin e punonjësve të huaj dhe kanë plotësuar nevojat për fuqi punëtore.
Të huajt shprehen se janë të kënaqur me kushtet e punës dhe pagesën dhe e konsiderojnë punësimin në vendin tonë si një mundësi të mirë për të siguruar të ardhura.
Në një kohë kur bizneset e kanë të vështirë të gjejnë punonjës për të orfruar shërbimet, pronarët e tyre thonë se do të vijojnë që ti plotësojnë kapacitetet me të huaj. Nevoja për staf është e madhe nisur nga hovi që ka marrë turizmi në vendin tonë.
Edhe për këtë sezon pritshmëritë janë të larta referuar prenotimeve për muajt e verës nga vizitorë vendas e turistë të huaj që do të pushojnë në bregdetin e Jonit.
Sipas të dhënave nga INSTAT gjatë vitit 2025 mbi 27 mijë shtetas të huaj janë pajisur me leje qëndrimi në vendin tonë ndërsa rezulton se rreth 65 përqind e tyre mbërrijnë në Shqipëri për punë.
Pra rreth 12 mijë të huaj kanë zgjedhur që të punësohen në sektorë të ndryshëm ndërsa vijnë nga kontinente të ndryshme, kryesisht nga Azia.
Rritja e numrit të punonësve të huaj po ndryshon tregun e punës në Shqipëri veçanërisht në sektorin e turizmit që konsiderohet si shtylla e zhvillimit ekonomik në rajonin jugor të vendit
Klan News
/tvklan.al



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.