Shqipëria me ligj të posaçëm për transplantimin e organeve, të dhënat për dhuruesit dhe marrësit do të ruhen për 30 vjet
Ministria e Shëndetësisë ka hedhur për konsultim publik projektligjin e ri për transplantimin e organeve, me gjurmim 30-vjeçar, regjistër të dhuruesve të gjallë dhe gjoba deri në 3 milionë lekë për shkeljet.
Shqipëria pritet të ketë një ligj të posaçëm për transplantimin e organeve, me rregulla më të forta për gjurmimin, monitorimin e dhuruesve dhe ndëshkimin e shkeljeve. Siç njofton Shqiptarja.com, Ministria e Shëndetësisë e ka hedhur projektligjin për konsultim publik me ekspertët.
Projektligji synon të ndajë transplantimin e organeve nga ai i indeve dhe qelizave, të cilat aktualisht rregullohen nga i njëjti ligj i vitit 2011. Sipas draftit, çdo organ do të gjurmohet nga dhuruesi te marrësi dhe anasjelltas, ndërsa të dhënat do të ruhen për të paktën 30 vjet. Parashikohet gjithashtu krijimi i një sistemi kombëtar identifikimi dhe i Regjistrit të Dhuruesve të Gjallë, me monitorim të gjendjes së tyre shëndetësore edhe pas dhurimit.
Dhurimi do të mbetet vullnetar dhe pa pagesë, por do të lejohet rimbursimi i shpenzimeve që lidhen drejtpërdrejt me të, pa përfitim ekonomik. Një risi tjetër, siç njofton Shqiptarja.com, është sistemi i raportimit dhe hetimit të komplikacioneve serioze që mund të shfaqen gjatë ose pas transplantimit.
Drafti ashpërson edhe masat për shkelësit: ndryshe nga ligji aktual, që parashikon gjoba deri në 1 milion lekë, projektligji i ri i ndan shkeljet në tri kategori sipas rëndësisë dhe parashikon penalitete deri në 3 milionë lekë. Shkeljet e rënda përfshijnë transplantimin pa autorizim, mungesën e gjurmueshmërisë dhe mosraportimin e komplikacioneve, ndërsa në kategorinë e shkeljeve shumë të rënda përfshihen marrja ose transplantimi i organeve pa pëlqimin e dhuruesit, cenimi i shëndetit të tij dhe tregtia e paligjshme e organeve.
Përveç gjobave, parashikohet pezullimi i autorizimit të qendrave deri në 12 muaj, revokimi përfundimtar i tij dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit për personat përgjegjës deri në 3 vjet. Projektligji përcakton gjithashtu rregulla për shkëmbimin ndërkombëtar të organeve dhe të informacionit mes autoriteteve të vendeve të përfshira.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.