Shqipëria pranë çeljes së negociatave, opozita të bëhet pjesë e zgjedhjes së kryeprokurorit
Shqipëria është më afër se kurrë çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe 6 mujori i parë i vitit 2018, do të jetë vendimtar për të hyrë në një korsi të re sa i përket rrugës tonë drejt anëtarësimit në BE.
Kryeministri Edi Rama duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, u shpreh se rëndësi në këtë proces ka edhe përfshirja e opozitës në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm.
Kryeministri Rama ripërsëriti ftesën për kreun e opozitës, Lulzim Basha, duke u shprehur se është themelore në rrugën e Shqipërisë drejt BE që opozita të përfshihet në këtë proces, në mënyrë që Shqipëria të shkojë e bashkuar përpara BE në momentin kur do të vendoset për çeljen e negociatave.
Rama theksoi se çështja e zgjedhjes së Kryeprokurorit të përkohshëm, sa i përket bazës ligjore është e qartë sesi bëhet, por që fatkeqësisht ka krijuar një situatë keqkuptimi nga ana e opozitës.
Rama ka ftuar opozitën të reflektojë përsëri për një zgjidhje të mirëkuptuar mes palëve.
“Ne e kemi qartësisht mundësinë dhe të drejtën që ta zgjedhim Kryeprokurorin e përkohshëm me shumicën që kemi në dispozicion. Ashtu siç kishim mundësinë dhe të drejtën të hynim në zgjedhje pa i shtrirë dorën opozitës, por kërkuam të kishim dialog”, tha Rama.
“Jemi më afër se kurrë çeljes së negociatave, por do të bëjmë gjithçka që të mos i japim askujt asnjë alibi që të mos ngurrojë të ngrejë dorën për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian”, theksoi kryeministri.
“Në momentin kur do të merret vendimi, të gjitha vendet anëtare duhet të jenë të gatshme të votojnë dhe të mos kërkojnë alibi. Konjukturat politike në çdo vend kanë peshën e tyre, por ne mendojmë se ka një gatishmëri dhe dashamirësi që u shpreh qartë nga të gjitha instancat në BE ahtu si dhe nga presidenti i BE, që u shpreh pa asnjë ekuivok që ishte i gatshëm t’i shprehte vendeve çeljen e negociatave me Shqipërinë”, tha Rama .
Ne, vijoi kryeministri, “mund ta zgjedhim me shumicë të thjesht Prokurorin e Përgjithshëm të përkohshëm, por pa dyshim ne do të kërkojmë të gjejmë zgjidhjen me opozitën. Kjo s’do të thotë që thepat e debatit të ditës me opozitën duhet të ndalojnë. Thepat e debatit mund të vazhdojnë në shqip, por në anglisht duhet të tregojmë se jemi bashkë dhe jo vetëm njëra palë, por të gjitha palët janë gati të kontribuojnë për çeljen e negociatave”.
Ky, vijoi Rama, “është vullneti i qytetarëve shqiptarë që na kanë votuar. I të gjithë atyre që janë gati të shohin Shqipërinë të hyjë në një kapitull tjetër në historinë e saj me BE”.
“Nuk do të reshtim së përsërituri ftesën për opozitën që të bëhet pjesë e këtij procesi, se nuk mundet dot që avazi të fillojë sërish nga e para, sa herë që ka një debat për reformën zgjedhore dhe as ne, as partnerët ndërkombëtarë të mos lexojnë dot ligjet dhe opozita ti lexojë ndryshe”, tha Rama , duke shtuar se, “ky avaz është një muzikë e dëgjuar më parë, por koha tani, momenti strategjik i Shqipërisë është i tillë sa duhet ti japim kolegëve tanë në opozitë arsye për të kapërcyer mbi vetveten dhe për të bërë për Shqipërinë atë që Shqipëria ka nevojë sot”.
“I lutem shumë Lulzim Bashës ta dëgjojë mirë këtë mesazh dhe t’i japë mundësi opozitës që të marrë pjesë në këtë proces dhe t’i japë mundësi Shqipërisë të çelë negociatat. Negociatat nuk çelen mes PS dhe BE, por mes Shqipërisë dhe BE”, deklaroi kryeministri Rama.