Shqiptarët protestojnë të dielën në Londër për çlirimtarët, aktivistja Badivuku: UÇK-ja për neve ka qenë shpresë
Të dielën, më 27 shtator, shqiptarët në Londër dalin në protestë kundër vendimit dënues të Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së; aktivistja Adelina Badivuku: 'UÇK-ja ka qenë shpresa e vetme, tash është krenaria jonë'
Këtë të diel, më 27 shtator, shqiptarët e diasporës në Londër do të dalin në protestë kundër verdiktit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Organizatorët presin pjesëmarrje të madhe të shqiptarëve që jetojnë në kryeqytetin britanik.
Në emisionin “Ora Shtatë” të Klan Kosovës, aktivistja shqiptare në Londër, Adelina Badivuku, tha se vendimi i Speciales u prit me indinjatë, mërzitje dhe mllef nga komuniteti shqiptar. Sipas saj, UÇK-ja ka qenë shpresa e vetme në një kohë të caktuar dhe sot është krenari shumë e madhe e pjesë shumë e rëndësishme e historisë së Kosovës.
Badivuku kujtoi se shqiptarët e Londrës kanë protestuar edhe gjatë viteve ’90, duke kërkuar që bota ta njihte Kosovën: “E mbaj mend shumë mirë që atëherë kur e kemi thirr emrin e UÇK-së, për neve ka qenë shpresë. E tash për neve është edhe krenari”.
Ajo shtoi se në protestën e së dielës pritet të marrin pjesë edhe anglezë, të cilët do t’i bashkohen kërkesave të komunitetit shqiptar.
Burimi: Klan Kosova



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.