NJU JORK – Jemeni kërkon ndihmë ndërkombëtare kundër rebelëve Houthi
NJU JORK, 25 shtator /ATSH-DPA/- Jemeni i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar më shumë mbështetje për t’u përballur me milicinë Houthi, e cila kontrollon pjesë të vendit.
Zëvendëspresidenti i Këshillit Presidencial të Jemenit, Abdullah Abdulkader Al Alimi-Bawzer tha në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, se kanë kaluar 12 vjet nga ajo që ai e quajti, grusht shteti i kryer nga milicia terroriste Houthi.
Sipas tij, rebelët Houthi kanë rritur tensionet në rajon dhe kanë kthyer një nga rrugët detare më të rëndësishme të botës, në një mjet presioni në përplasjen mes Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar.
Ai tha se mbrojtja e kësaj rruge detare është përgjegjësi e përbashkët e vendeve të rajonit dhe komunitetit ndërkombëtar, pasi Jemeni nuk mund ta përballojë i vetëm këtë detyrë.
Al Alimi-Bawzer kërkoi që vendet e tjera të mos merren vetëm me menaxhimin e krizave, por të krijojnë një bashkëpunim afatgjatë, që të ndihmojë në rritjen e sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të Jemenit dhe rajonit.
80 vende dënojnë rebelët Houthi
Më herët gjatë ditës, në OKB, 80 shtete dënuan vendimin e milicisë Houthi, e mbështetur nga Irani, për të rifilluar konfliktin në Jemen, si dhe sulmet e saj të vazhdueshme ndaj Arabisë Saudite dhe në Detin e Kuq.
Sipas lajmit, rebelët Houthi kanë marrë së fundmi, kontrollin e bregdetit perëndimor të Jemenit përmes një ofensive të shpejtë.
Kjo u ka dhënë atyre qasje pranë Ngushticës së Bab al-Mandabit, një pikë shumë e rëndësishme në hyrje të Detit të Kuq.
Ndërsa konflikti është përshkallëzuar, Arabia Saudite është sulmuar sërish nga Jemeni, vendi fqinj në jug.
Rëndësia e Bab al-Mandabit është rritur edhe më shumë për shkak të krizës në Ngushticën e Hormuzit, një tjetër rrugë detare shumë e rëndësishme për transportin e naftës dhe mallrave.
Kalimi përmes Ngushticës së Hormuzit është kufizuar ndjeshëm, që nga fillimi i luftës së SHBA-së kundër Iranit, ndërsa Teherani po përpiqet të kontrollojë lëvizjen e anijeve përmes kësaj ngushtice. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.