“Shtëpizat e riciklimit”: katër të arrestuarit para Prokurorisë Europiane, u ngrihen pasuritë
Botuesi Giannis Kourtakis, pronarët e TEXAN-it dhe kreu i “Riciklimit Shpërblyes” pritet të marrin afat për t'u mbrojtur, ndërsa Prokuroria Europiane ngriu llogaritë bankare dhe pasuritë e të përfshirëve
Katër të arrestuarit për skandalin me “Shtëpizat e Riciklimit” kanë kaluar pragun e Prokurorisë Europiane, siç njofton gazeta greke Efsyn. Bëhet fjalë për botuesin e “Parapolitika”, Giannis Kourtakis, pronarët e kompanisë TEXAN, Apostolos dhe Panagiotis Mourgos, si dhe kryetarin e bordit të “Riciklimit Shpërblyes”, Pavlos Ravanis.
Të arrestuarit pritet të dalin përpara prokurorëve europianë të deleguar, për t’u ngritur akuzat, dhe menjëherë më pas do të dërgohen te hetuesja, nga e cila do të kërkojnë afat për të përgatitur mbrojtjen e tyre. Brenda ditës pritet shpallja e akuzave në ngarkim të tyre; nëse akuzat janë të karakterit të rëndë penal, dosja do t’i kalojë hetuesit europian për fazën tjetër të procedurës.
Ndërkohë, Prokuroria Europiane ka proceduar me ngrirjen e llogarive bankare dhe të çdo lloj pasurie të katër të arrestuarve, të kompanive të përfshira dhe të personave të tjerë që po shqyrtohen në kuadër të hetimit. Sipas Efsyn, kjo është një procedurë që zbatohet sistematikisht në çështjet e krimit ekonomik, për të kontrolluar rrugën e parave dhe për të konstatuar nëse ka indicie për kryerjen e veprave penale.
Zhvillimi është hapi i radhës pas arrestimeve të djeshme për çështjen e “Shtëpizave të Riciklimit”, projekt i financuar me fonde europiane, të cilat 24-ore.com i ka raportuar më parë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.