Shteti modern është një kontratë me qytetarin, jo një marrëveshje me të
Nga Mero Baze
Përpjekja e Edi Ramës për ta përdorur protestën për një komunikim të ri të administratës shtetërore me qytetarët përmes “Besës” është një përpjekje për të trembur administratën me protestën, por që nuk po funksionon.
Arsyeja e parë pse nuk po funksionon është se nuk ka një protestë që ta trembë seriozisht administratën. I vetmi që e ka marrë seriozisht protestën për ta përdorur për vete është Edi Rama.
Tani, sado që Edi Rama përpiqet t’ua prishë pushimet zyrtarëve të vet, duke i vënë të konspektojnë “Besën 1” dhe “Besën 2”, nuk shikoj ndonjërin që ka kuptuar ndonjë gjë se çfarë duhet të bëjnë.
Arsyeja themelore është se “direktiva” e Edi Ramës për “Besën” bazohet te një angazhim moral nga administrata, ndërkohë që problemi kryesor që ka administrata e tij është se përgjegjësia personale e zyrtarëve është e paqartë.
Qytetari duhet ta dijë qartë se kush përgjigjet kur ai nuk zbatohet. Kjo është ajo që e modernizon shtetin dhe e bën qytetarin të pavarur nga Besa.
Po të kesh një hall me shtetin shqiptar, duhet medoemos të njohësh një titullar të lartë, pasi nuk ka rëndësi që hallin duhet të ta zgjidhë një nëpunës kot aty në administratë. Kultura e delegimit të pushtetit lart dhe e kalimit të përgjegjësisë poshtë ka krijuar realisht një shtet disfunksional, që Besa jo vetëm nuk e reformon, por e forcon këtë tipar. Kur them e forcon, kam parasysh që Besën qytetarët në votime ua kanë dhënë vetëm Edi Ramës dhe 140 deputetëve, kurse punët qytetarët i kanë me 140 mijë vetë të administratës.
Në administratën shtetërore është krijuar një mekanizëm ku autoriteti përqendrohet te drejtuesi, ndërsa firma dhe rreziku juridik u kalohen vartësve. Mosmbajtja e Besës shndërrohet në një sistem të tretjes së përgjegjësisë, që ti nuk e kupton kurrë se kush të preu në besë.
Prandaj, ajo që duhet të bëjë me urgjencë qeveria në këtë pikë nuk janë orët e informacionit politik mbi “Besën”, por një sërë ligjesh që adresojnë qartë raportin e administratës me qytetarin dhe detyrimin e administratës për t’i zgjidhur problemin që i takon qytetarit.
Pra, thjesht duhet të bëjë një shtet modern dhe jo një shtet tribal. Besa është një mit shqiptar në malësitë e Shqipërisë, ku Kanuni rregullonte raportet mes qytetarëve, në mungesë të shtetit ligjor. Dhe mungesa e Besës shpaguhej me gjak, pikërisht se besa nuk ishte një zakon aq i përhapur te banorët. Në njëfarë mënyre u imponohej me gjak, që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Shteti shqiptar duhet të reformohet drejt një administrate moderne që i kthen përgjigje qytetarit. Jo si përgjigjet e hipotekave, që i detyrojnë qytetarët të paguajnë nga dhjetë herë që të vijë përgjigjja automatike: të mungon edhe një dokument. As si përgjigjet e ujësjellësit apo OSHE-së, kur të faturojnë pesëfishin, që të thonë: na vjen keq, duhet t’i paguash njëherë, pastaj të ankohesh. As si përgjigjet e tatimeve, që të ngarkojnë detyrime që nuk i ke e pastaj të thonë: t’i kemi borxh.
Me këtë lloj sistemi nuk ke ku “merr gjak”, edhe pse të presin në besë çdo ditë. Vetëm ligje të pakapura nga hajdutët e shtetit dhe që janë detyruese për administratën që t’u shërbejë qytetarëve, mund ta shpëtojnë raportin katastrofik që është krijuar mes shërbimeve dhe qytetarëve.
Nëse çdo ligj i shtetit shqiptar ka një klauzolë përjashtuese nga detyrimi për t’u shërbyer qytetarëve, ai është ligj mafioz. Fjala vjen, nëse ti thua që të takon të marrësh donacione nga shteti për një biznes të caktuar, por duhet të konkurrosh se nuk ka për të gjithë, është ligj mafioz. Nëse ti je bujk dhe shteti duhet të të kompensojë për qumështin apo mishin, por me klauzolë gare se nuk ka për të gjithë, është ligj mafioz, se të lë në dorë të një hajduti.
Zyrtari nuk duhet ta paraqesë përmbushjen e detyrës si nder që po ia bën qytetarit, por si përgjegjësi personale dhe institucionale për të cilën duhet të japë llogari.
Raporti mes shtetit dhe qytetarit është një kontratë civile që palët duhet t’i përmbahen. Shteti modern bën kontrata. Besa është marrëveshje. Ajo i përket periudhës parashtetërore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.