Shtyhet për në 17 nëntor gjyqi për Veliajn, gjykata: Nuk jemi kompetentë për transferimin! Avokati: Kërkojmë vendimin e
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është shtyrë seanca në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt.
Shkak për shtyrjen e saj u bë mungesa e avokatit të njërit prej të pandehurve, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 17 nëntor, ora 10:00.
Avokati i tij, Plarent Ndreca, tha se do të vijojnë të kërkojnë të drejtën e tyre për të ditur se kush vendosi të transferojë klientin e tij, Erion Veliajn, nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.
Ai pohoi se edhe Gjykata ka pranuar se nuk është vënë në dijeni për këtë lëvizje, edhe pse Drejtoria e Burgjeve e ka të obliguar me ligj ta njoftojë atë.
“Siç ju e konstatuat, rezultoi në momentin që ka marrë vendim për të transferuar Veliajn, nuk e ka njoftuar Gjykatën, në shkelje të detyrimit të saj. Gjykata tha se ky material që ka çuar Veliaj do i referohet institucioneve përkatëse. Ne si grup ligjor i Veliajt do e vlerësojmë nëse ka vepër penale. Unë do tentoj ta takoj sot, nëse jo, do të ngelet për nesër.
Veliaj më ka informuar dhe më ka dhënë edhe shënimet që ka mbajtur gjatë takimit me Gogun. Është edhe një grup avokatësh të huaj që po merren me këtë çështje. Sa i përket pjesës së dytë, s’ka asnjë kërkesë të Veliajt për të takuar ministrin e Drejtësisë.
Ministri nuk mund të shkojë në këtë orar, në orën 10:30 të darkës. Ministri i Drejtësisë ka të drejtë të inspektojë kushtet e institucionit, por s’mund të takohë kokë më kokë një të pandehur që është nën gjykim nga gjykata, në zyrën e drejtorit të burgut”, tha ai.
Kreu i Bashkisë së Tiranë, përmes avokatit të tij, i ka dërguar letër Gjykatës së Posaçme, në të cilin thuhet se:
“Siç jeni vënë në dijeni nga mediat ditët e fundit, unë jam rrëmbyer nga një togë shoqërimi policësh pa më thënë se ku do më dërgonin, pa dijeninë time, 100 km larg gjykatës ku po gjykohem dhe larg gruas me dy të mitur dhe nënës time pensioniste. Toni Gogu më ka vizituar pas transferimin dhe më ka thënë që kjo ka ndodhur me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama. Më ka thënë që prokurorët ishin gati të shtonin akuza deri tek ajo e prishja e rendit kushtetues. Kjo si ndëshkim që kam mbështetur protestën e flamingove dhe studentëve, por kjo është e vërtetë aq sa është i vërtetë kallëzimi i Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit. Kërkoj nga gjykata të marrë masat e duhura për ta verifikuar këtë që ka ndodhur”, thuhet në letrën e Veliajt.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.