Shtyhet seanca për Erion Veliajn, gjykata lexon letrën e kryebashkiakut nga burgu i Fierit
Seanca gjyqësore ndaj Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë është shtyrë për më 17 nëntor, në orën 10:00, për shkak të mungesës së disa avokatëve.
Gjatë seancës, gjykata lexoi edhe një shkresë të dërguar nga Erion Veliaj prej paraburgimit të Fierit, ku ai ngre pretendime lidhur me transferimin e tij nga burgu ku mbahej më parë.
“Siç jeni vënë në dijeni nga mediat ditët e fundit, unë jam rrëmbyer nga një togë shoqërimi policësh pa më thënë se ku do më dërgonin, pa dijeninë time, 100 km larg gjykatës ku po gjykohem dhe larg gruas me dy të mitur dhe nënës time pensioniste. Toni Gogu më ka vizituar pas transferimin dhe më ka thënë që kjo ka ndodhur me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama. Më ka thënë që prokurorët ishin gati të shtonin akuza deri tek ajo e prishja e rendit kushtetues. Kjo si ndëshkim që kam mbështetur protestën e flamingove dhe studentëve, por kjo është e vërtetë aq sa është i vërtetë kallëzimi i Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit. Kërkoj nga gjykata të marrë masat e duhura për ta verifikuar këtë që ka ndodhur”, thuhet në shkresën e lexuar nga gjykata.
Nga ana tjetër, gjykata relatoi se institucionet e burgjeve nuk e kishin vënë në dijeni për transferimin e Veliajt drejt Fierit.
Sa i përket pretendimit se transferimi është kryer me urdhër të kryeministrit Edi Rama, gjykata u shpreh se kjo çështje nuk është objekt i këtij gjykimi dhe se Veliaj duhet t’i drejtohet rrugës institucionale. Sipas gjykatës, verifikimi i këtyre pretendimeve u takon organeve kompetente.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.