“Si ne të dy”, komedia e zezë që vë në qendër krizën e martesës dhe marrëdhënieve në çift
Nga Julia Vrapi
“Si ne të dy”, një komedi e zezë që eksploron botën e marrëdhënieve në çift dhe krizës së martesës. Me regji nga Violeta Trebicka, shfaqja sjell në skenë një histori të fuqishme emocionale, ku humori dhe dhimbja ndërthuren natyrshëm, duke e kthyer veprën në një reflektim mbi dashurinë dhe marrëdhëniet njerëzore. Shfaqja teatrore erdhi premierë në teatër me në role aktorët e njohur Luiza Xhuvani dhe Alfred Trebicka. Në qendër të shfaqjes “Si ne të dy” janë dy personazhe, një çift, të cilët përballen me shpërbërjen e martesës së tyre.
Përmes një humori të hollë, grindjeve të zgjuara që shkojnë deri në përballje të forta fizike, protagonistët tanë eksplorojnë dashurinë, tradhtinë, zhgënjimin, konsumimin njerëzor dhe dilemën e vazhdueshme se çfarë është martesa. Kur kemi një martesë të shëndetshme dhe kur jo? Vepra që shënoi premierën në skenë këtë sezon artistik është në vijim të projekteve të tjera teatrore, që ka sjell në skenë më parë si regjisore Violeta Trebicka. Në vijim të punës së saj me teatrin në skenë u ngjit premiera “Si ne të dy”, bazuar në “Lojë martese” të dramaturgut Edward Albee, që këto mbrëmje prilli u prit me interes nga publiku.
Ndërsa aktorët e njohur të teatrit Luiza Xhuvani dhe Alfred Trebicka, me një aktivitet të pasur në skenën tonë teatrore dhe me role të shumta në shfaqje të ndryshme, këtë herë ishin në skenë me këtë komedi të zezë. Në shfaqje skenografia nga Ilir Butka, kostumet Kristanja Çene, muzika Ron Bulku, poster design Adrian Çene, as/regjisor Eneres Dalipaj dhe Fabjo Rrapushaj.
“Si ne të dy” u shfaq si premierë absolute në datat 22, 23, 24, 25, 26 prill në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë. “Si ne të dy”, një komedi e zezë që eksploron botën e marrëdhënieve në çift dhe krizës së martesës erdhi si një produksion i ri artistik në skenën tonë teatrore, duke pasuruar dhe jetën artistike dhe kulturore të Tiranës, si dhe duke kontribuar në rritjen e nivelit artistik të teatrit shqiptar.
Dramaturgu Edward Albee
Edward Albee (12 mars 1928 – 16 shtator 2016) ishte një nga dramaturgët më të shquar amerikanë të shekullit të XX-të. Ai fitoi tre çmime “Pulitzer” për dramë dhe ndihmoi në riformësimin e teatrit amerikan me një stil që kalonte nga absurdi në realizmin kritik. Në skenën tonë teatrore janë vënë dhe më parë vepra të këtij autori të njohur amerikan, ku premierë së fundmi në teatër ishte një tjetër vepër bazuar në “Lojë martese” shkruar prej tij. Edward Albee vdiq më 16 shtator 2016 në East Hampton, New York, duke lënë pas një trashëgimi të pasur dhe ndikim të madh në historinë e teatrit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.