ÇEKI – Qeveria i mbijeton mocionit të mosbesimit para zgjedhjeve të rëndësishme
PRAGË, 1 tetor /ATSH-DPA/- Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit çek Andrej Babis nuk siguroi votat e nevojshme në Parlament, duke bërë që qeveria të vazhdojë të qëndrojë në detyrë.
Në votim, 83 deputetë votuan pro mocionit, ndërsa për rrëzimin e qeverisë nevojiteshin të paktën 101 vota, nga 200 deputetë që ka gjithsej Dhoma e Deputetëve.
Debati para votimit u shoqërua me përplasje të forta mes qeverisë dhe opozitës, në prag të zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjeve për Senatin, që do të zhvillohen më 9 dhe 10 tetor.
Mocioni u paraqit nga 92 deputetë të partive liberale dhe konservatore.
Ata akuzuan qeverinë se po rrit borxhin publik dhe paralajmëruan për një situatë shumë të rëndë financiare në vend.
Opozita kritikoi gjithashtu qeverinë se nuk po bën mjaftueshëm për forcimin e sigurisë përballë kërcënimeve që lidhen me Rusinë.
Kryeministri Babis i akuzoi kundërshtarët e tij se janë të motivuar vetëm nga kundërshtimi ndaj tij.
Sipas tij, opozita ka vetëm një qëllim, atë që ai e cilësoi si “anti-Babis” dhe nuk është e gatshme të dëgjojë argumentet e qeverisë.
Babiš, 72 vjeç, drejton që prej dhjetorit të vitit të kaluar një koalicion qeverisës të përbërë nga partia e tij populiste e krahut të djathtë, ANO, dhe dy parti të vogla të ekstremit të djathtë.
I lindur në Sllovaki, Babis është politikan, biznesmen dhe ekonomist dhe konsiderohet ndër njerëzit më të pasur në Çeki.
Zgjedhjet lokale konsiderohen testi i parë i rëndësishëm për nivelin e mbështetjes, që ka koalicioni qeverisës në opinionin publik.
Në këto zgjedhje do të përcaktohet përbërja e më shumë se 6,000 këshillave bashkiakë dhe vendorë.
Paralelisht, siç ndodh çdo dy vjet, do të zgjidhet edhe një e treta e anëtarëve të Senatit, dhoma e lartë e Parlamentit çek.
Senati merr pjesë në procesin e miratimit të ligjeve dhe mund të bllokojë ndryshimet në Kushtetutë. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.