Supertanker goditet dhe digjet në Ngushticën e Hormuzit, raportojnë mediat iraniane
Një supertanker është goditur në Ngushticën e Hormuzit dhe po digjet, njoftoi të enjten agjencia iraniane e lajmeve Fars, duke cituar burime lokale, siç raporton Al Jazeera.
Anija, me kapacitet 2.5 milionë fuçi, po lundronte “ilegalisht” në ngushticën strategjike kur u godit rreth tetë kilometra nga brigjet e Omanit. Mediat iraniane nuk e pretenduan menjëherë autorin e sulmit dhe nuk bënë të ditur as flamurin nën të cilin lundronte anija.
Ngjarja vjen në një kohë kur Ngushtica e Hormuzit mbetet epiqendra e luftës SHBA–Iran, me trafikun detar të reduktuar në nivele historike dhe çmimet e naftës nën presion të vazhdueshëm. Përmes Hormuzit kalon rreth një e pesta e naftës së botës.
Sulmi shton edhe më shumë pasigurinë mbi sigurinë e lundrimit në ngushticë, vetëm disa orë pasi firma e inteligjencës detare Marisks raportoi goditje ndaj tre cisternave të tjera në të njëjtën zonë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.