Sikorski pyet Musk-un: a po luan politikë me Starlink-un në Ukrainë?
Ministri i Jashtëm i Polonisë reagoi të mërkurën, pasi Kievi njoftoi se kufizimi i disa shërbimeve Starlink ndërpreu misione luftarake me dronë; Polonia është ajo që paguan abonimin ukrainas.
Ministri i Jashtëm i Polonisë reagoi të mërkurën, pasi Kievi njoftoi se kufizimi i disa shërbimeve Starlink ndërpreu misione luftarake me dronë; Polonia është ajo që paguan abonimin ukrainas.

Ministri i Jashtëm polak Radosław Sikorski iu drejtua të mërkurën Elon Musk-ut në një postim në X, duke e pyetur nëse po luan sërish politikë me produktet e tij dhe duke shtuar se klientët evropianë po e vëzhgojnë, siç njofton Reuters. Sikorski e quajti Musk-un me ironi “big man” dhe deri në publikimin e lajmit nuk kishte reagim nga ana e tij.
Reagimi vjen pasi Kievi njoftoi se SpaceX vendosi një kufi shpejtësie për terminalet Starlink në lëvizje në Ukrainë, masë për të cilën forcat ukrainase thanë se nuk ishin paralajmëruar dhe që ndërpreu një numër misionesh luftarake me dronë.
Polonia ka deklaruar se paguan abonimin e Starlink-ut për Ukrainën, shërbim jetik për drejtimin e goditjeve me dronë me rreze të gjatë veprimi në jugun dhe lindjen e pushtuar të vendit, ku dronët ukrainas kanë goditur rëndë logjistikën ruse.
Nuk është përplasja e parë publike mes të dyve: në vitin 2025, pas një debati të ashpër në rrjetet sociale me pjesëmarrjen edhe të sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, Musk i ishte drejtuar Sikorskit me fjalët “hesht, njeri i vogël”, ndërsa më vonë kishte deklaruar se Starlink nuk do t’i fikte kurrë terminalet në Ukrainë dhe nuk do ta përdorte shërbimin si mjet presioni.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.