SOFT NEWS – Radio dhe kitarë elektrike pa pushim, policia arreston 61-vjeçarin pas 7 vitesh ankesash
– Policia japoneze ka arrestuar në Kyoto një 61-vjeçar, i akuzuar se për më shumë se shtatë vjet ka shqetësuar vazhdimisht fqinjët duke lëshuar muzikë me volum shumë të lartë dhe duke luajtur kitarë elektrike në orare të ndryshme të ditës dhe natës, shkruan today.it.
Sipas autoriteteve, Kazunori Yokoi dyshohet se ka shqetësuar të paktën tre banorë të lagjes, të moshës 60 deri në 80 vjeç.
Zhurmat, që sipas hetuesve kanë vazhduar nga qershori i vitit 2019 deri në korrikun e këtij viti, kanë shkaktuar probleme të rënda me gjumin dhe pasoja në gjendjen shëndetësore të banorëve.
Policia ka konstatuar se radioja qëndronte e ndezur gjatë gjithë ditës, ndërsa kitara elektrike luhej nga orët e para të mëngjesit deri në orët e vona të pasdites.
Matjet e kryera nga teknikët kanë regjistruar nivele zhurme prej 80 deri në 90 decibel, të krahasueshme, sipas administratës lokale, me zhurmën brenda një treni në lëvizje.
Një prej banoreve ka zhvilluar tinitus, ose zhurmë/fishkëllimë të vazhdueshme në vesh, ndërsa banorë të tjerë kanë raportuar pagjumësi, depresion dhe probleme të tjera të lidhura me mungesën e pushimit.
Gjatë kontrollit në banesën e 61-vjeçarit, policia sekuestroi 76 pajisje dhe artikuj muzikorë, përfshirë kitara dhe amplifikatorë.
Sipas hetimit, ankesat e para të banorëve datojnë që në janar 2017. Autoritetet e kishin paralajmëruar dhe këshilluar disa herë të dyshuarin për të ndaluar shqetësimet, por situata vazhdoi.
Mes qershorit dhe korrikut të këtij viti, katër banorë vendosën të paraqisnin kallëzime zyrtare, pasi problemet e shkaktuara nga zhurma ishin bërë, sipas tyre, të padurueshme.
Një prej fqinjëve, rreth 60 vjeç, tha se vuante nga një fishkëllimë e vazhdueshme në vesh dhe e përshkroi situatën si një përvojë që e kishte bërë jetesën në banesë të vështirë.
Hetimet ndaj 61-vjeçarit vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë e tij për shqetësimet dhe pasojat e raportuara nga banorët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.