Sot dita e 20-të e protestës, aktivistët dhe qytetarët pritet të mblidhen sërish para Kryeministrisë
Qytetarët do të protestojnë edhe këtë të premte në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të 20-ën ditë me radhë, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në orën 19:00, si çdo ditë tjetër, protestuesit do të mblidhen fillimisht në sheshin sheshin “Skënderbej” dhe më pas do të marshojnë në drejtim të godinës së qeverisë, ku do të mbahen fjalimet. Në vijim, për disa orë, protestuesit marshojnë në rrugët kryesore të Tiranës deri në mesnatë.
Një ditë më parë, qytetarët marshuan fillimisht drejt Parlamentit, ku po zhvillohej votimi i rendit të ditës, dhe më pas u drejtuan te Kryeministria.
Organizatorët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat çdo ditë nga ora 19:00, deri në plotësimin e kërkesave të tyre, mes të cilave përfshihet edhe anulimi i ligjeve që, sipas tyre, lidhen me mjedisin, natyrën dhe zonat e mbrojtura.
Pas ditës së 19-të të protestës qytetare, Policia e Tiranës ka njoftuar se ka proceduar penalisht 27 shtetas, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprime që, sipas autoriteteve, kanë cenuar rendin dhe sigurinë publike gjatë tubimit të zhvilluar.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, personat e proceduar akuzohen se kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit dhe kanë shkaktuar shqetësim për rendin dhe qetësinë publike. Policia pretendon se ata kanë orientuar pjesëmarrësit e protestës të lëvizin në disa akse të Tiranës, duke tejkaluar orarin dhe perimetrin e lëvizjes të njoftuar më parë për organizimin e tubimit.
Procedimi penal vjen pas veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e policisë në lidhje me protestën, ndërsa hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes vijojnë.
Gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu zbardh agjendën e mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar që do të mbahet nesër në orën 10:00 në Pallatin e Brigadave. Fjalën hapëse mësohet do e ketë kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla e më pas kryeministri dhe njëherësh kryetari i PS, Edi Rama.
Po ashtu, në përfundim të mbledhjes do të kenë fjalë si kryeministri dhe kryetari i grupit. Mbledhja është parashikuar të nisë në orën 10:00 dhe të zgjasë deri në orën 17:00.
4 janë pikat kryesore në agjendën e dërguar deputetëve që kanë të bëjnë me: Informim mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe ecurinë e negociatave të anëtarësimit.
Informim mbi paketën e ligjeve që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Informim mbi procedurat e ndjekura deri më tani për investimin në Zvërnec dhe interesin e shprehur për zhvillimin turistik të ishullit të Sazanit. Informim mbi ecurinë e Reformës Administrative Territoriale.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha pas mbledhjes së qeverisë se ende nuk ka një projekt për zhvillimin e zonës së Zvërnecit. Ibrahimaj u shpreh se qeveria shqiptare është ende në fazë studimi dhe projektimin dhe po punon me arkitektë të mjedisit dhe peizazhit. Ajo theksoi se qëllimi i qeverisë është që ky projekt të realizohet pasi është fitimprurës dhe me impakt në turizëm.
“Nuk ka ende një projekt për zhvillimin e zonës së Zvërnecit. Po punojmë me arkitektë të mjedisit peizazhit, jemi ende në fazë studimi dhe projektimi. Qeveria shqiptare nuk e ka një projekt final që ta ndajë me publikun. Në momentin që do na vijë një propozim, duhet të plotësojë të gjitha kushtet mjedisore. Është në qëllimet tona që projekti të miratohet të vazhdojë brenda parametrave të BE dhe të bëhet transparencë për publikun. Ne duam që një projekt i kësaj përmase financuare të vijë në Shqipëri edhe për impaktin që mund të ketë në sektorin e turizmit sipas çdo standardi.
4 mld ka qenë projekti i parë që është refuzuar nga qeveria shqiptare për probleme të ndikimit të mjedisit. Arsyeja pse investitorët duan të vijnë në Zvërnec është natyra, ndaj është në interesin e tyre që natyra të mbrohet”, tha Ibrahimaj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.