SPAJIQ: MALI I ZI SYNON ANËTARËSIMIN NË BE, MERZ VLERËSON PËRPARIMIN E VENDIT
Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi është i vendosur që përmes reformave të meritojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe përparimin e tij ta shndërrojë në mundësi për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, deklaroi kryeministri Millojko Spajiq në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit.
Ai theksoi se integrimi evropian duhet të sjellë kushte më të mira jetese, vende të reja pune dhe më shumë perspektivë për të rinjtë, ndërsa bashkëpunimi rajonal duhet të japë rezultate konkrete për qytetarët dhe ekonominë.
Spajiq riafirmoi mbështetjen e Malit të Zi për Ukrainën, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, duke theksuar se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë.
Ai u shpreh se Mali i Zi synon të vazhdojë të kontribuojë në Procesin e Berlinit edhe pas përfundimit të kryesimit të tij, me ambicien që së shpejti ta bëjë këtë si anëtar i plotë i Bashkimit Evropian.
Kancelari gjerman Friedrich Merz vlerësoi përparimin e Malit të Zi në rrugën drejt BE-së, duke deklaruar se vendi është pothuajse në përfundim të negociatave të anëtarësimit.
Sipas tij, ky progres dëshmon se anëtarësimi është një objektiv i arritshëm, por reformat dhe vullneti politik duhet të vijnë nga vetë vendet e rajonit.
Merz theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, ruajtjes së paqes dhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke paralajmëruar se polarizimi politik dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura nga e kaluara pengojnë përparimin drejt një Evrope më të qëndrueshme.
Kancelari austriak Kristijan Shoker deklaroi se çështjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë apo ngadalësojnë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke theksuar se Mali i Zi e ka merituar anëtarësimin.
Ai riafirmoi mbështetjen e Austrisë për vendin në fazën përfundimtare të rrugës evropiane, duke vlerësuar se anëtarësimi i tij do të ishte një nxitje për të gjithë rajonin dhe një dëshmi e besueshmërisë së politikës së zgjerimit të BE-së.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.