MILLATOVIQ: ANËTARËSIMI I MALIT TË ZI NË BE NË VITIN 2028, SUKSES STRATEGJIK PËR EVROPËN
Foto: predsjednik.me
Anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028 është një nga synimet kryesore të mandatit të tij presidencial, deklaroi presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në forumin ndërkombëtar “Berlin Global Dialogue 2026”.
Ai vlerësoi se anëtarësimi do të përbënte një sukses strategjik për Evropën dhe do të dëshmonte besueshmërinë e politikës së zgjerimit të BE-së.
Millatoviq theksoi se partneritetet evropiane duhet të sjellin investime të reja, vende pune më cilësore dhe standard më të mirë jetese për qytetarët.
Duke folur për zhvillimin ekonomik, ai nënvizoi rëndësinë e institucioneve efikase, konkurrencës së drejtë dhe infrastrukturës së besueshme për tërheqjen e investimeve afatgjata.
Sipas tij, Ballkani Perëndimor duhet të shihet si një partner i rëndësishëm në forcimin e konkurrueshmërisë evropiane, veçanërisht në fushën e infrastrukturës, energjisë së rinovueshme dhe lidhjes së tregjeve.
Millatoviq kujtoi se Mali i Zi këtë vit shënon 20-vjetorin e rikthimit të pavarësisë dhe shprehu ambicien që vendi të bëhet anëtar i BE-së dhe të kontribuojë aktivisht në të ardhmen e kontinentit.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.