SPANJË – Katër viktima nga stuhitë dhe përmbytjet në Valencia dhe Alicante
MADRID, 19 tetor /ATSH-AFP/ – Të paktën katër persona kanë humbur jetën si pasojë e reshjeve të dendura dhe përmbytjeve të rënda që kanë goditur rajonin mesdhetar të Spanjës, veçanërisht provincat Valencia dhe Alicante.
Sipas transmetuesit publik spanjoll RTVE, ekipet e shpëtimit vijuan sot operacionet për evakuimin e banorëve të bllokuar nga ujërat.
Dhjetëra persona janë shpëtuar pasi kishin mbetur të bllokuar që prej orëve të para të mëngjesit, disa në çatitë e ndërtesave, të tjerë brenda banesave të përmbytura ose në automjete.
Rrugë, shtëpi dhe kampe turistike u mbuluan nga uji në provincat Valencia dhe Alicante, ndërsa përmbytje u regjistruan edhe në ishujt Baleare, Majorka dhe Ibiza.
Operacionet e shpëtimit u kryen me helikopterë dhe varka.
Pamjet e publikuara nga policia treguan shpëtimin e një gruaje 93-vjeçare në qytetin Gandia, e cila u transportua drejt një zone të sigurt mbi një dërrasë sërfi.
Qeveria rajonale shpalli nivelin e dytë më të lartë të emergjencës, ndërsa mësimi u pezullua në më shumë se 40 bashki të provincave Valencia dhe Alicante.
Fillimisht, autoritetet vendosën kufizime të lëvizjes për disa orë në 145 bashki, ku jetojnë gjithsej më shumë se 800 mijë banorë.
Megjithatë, gjatë pasdites, masa u kufizua në vetëm tetë bashki.
Pavarësisht këtij lehtësimi, disa zona vijonin të ishin të izoluara nga pjesa tjetër e vendit për shkak të përmbytjeve dhe dëmtimit të infrastrukturës.
Situata ishte veçanërisht e rëndë në qytetin bregdetar Oliva, rreth 70 kilometra në jug të kryeqytetit provincial Valencia, ku sot u gjetën dy trupa të pajetë.
Sistemi i stuhive, i quajtur “Adam” kishte shkaktuar probleme të mëdha edhe gjatë fundjavës në pjesë të tjera të Spanjës kontinentale, ku humbën jetën dy gra, njëra në Sagunto, në provincën Valencia, dhe tjetra në Cabrera de Mar, në Katalonjë./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.