Stilisti i Dior thyen heshtjen për fustanin e dasmës së Taylor Swift

Drejtori kreativ i Dior, Jonathan Anderson, ka folur për herë të parë për përvojën e krijimit të fustanit të nusërisë së Taylor Swift, duke e përshkruar atë si një proces tepër emocional.
Taylor Swift dhe Travis Kelce, të dy 36 vjeç, kurorëzuan dashurinë e tyre në një ceremoni madhështore të zhvilluar në Madison Square Garden në New York, përpara rreth 1.000 të ftuarve, mes tyre shumë emra të njohur të industrisë së muzikës, kinemasë dhe sportit.
Në orën 19:30, çifti konfirmoi zyrtarisht martesën, ndërsa në ekranet gjigante jashtë arenës u shfaq mesazhi “JUST T&T MARRIED”, një referencë romantike ndaj inicialeve të tyre.
Në një njoftim për mediat nga publicistja e Swift, Tree Paine, u bë e ditur se çifti kishte zgjedhur veshje të personalizuara Christian Dior Haute Couture. Megjithatë, deri më tani nuk është publikuar asnjë fotografi zyrtare e fustanit të këngëtares.
Në një intervistë për WWD, Jonathan Anderson tregoi se bashkëpunimi me Taylor Swift ishte një përvojë shumë e veçantë.
“Ishte kënaqësi të punoja me të. U bëmë miq shumë të mirë. Është gjithmonë emocionuese të krijosh fustanin e dasmës së dikujt,” u shpreh stilisti.
Ndërkohë, në një postim të fshirë më vonë në rrjetin X, drejtori ekzekutiv i AMC dhe një nga të ftuarit në dasmë, Adam Aron, zbuloi disa detaje nga pamja e nuses.
Sipas tij, Swift kishte veshur një fustan të bardhë me bisht të gjatë dhe vellon tradicionale, duke e cilësuar krijimin si “mahnitës”.
Sipas njoftimit për shtyp, këpucët e çiftit ishin punuar posaçërisht nga Christian Louboutin, ndërsa Taylor Swift kishte zgjedhur bizhuteri Cartier për ditën e saj të madhe.
Nuk është hera e parë që Jonathan Anderson krijon fustane nusërie për Dior. Para Swift, ai ka realizuar edhe fustanet e dasmës për modelen kineze Ming Xi dhe influencuesen braziliane Elisa Zarzur.
Në ditët para ceremonisë, fansat kishin vënë re se Taylor Swift kishte nisur të mbante disa çanta të dizajnuara nga Anderson për Dior, duke i konsideruar ato si sinjale të fshehta se stilisti irlandez do të ishte edhe autori i fustanit të saj të dasmës.
Në ceremoninë luksoze morën pjesë emra të njohur si Selena Gomez, Sabrina Carpenter, Steven Spielberg, Karlie Kloss, Bradley Cooper dhe Gigi Hadid.
Sipas raportimeve, Adam Sandler ishte ai që drejtoi ceremoninë e martesës, ndërsa Taylor vendosi të mos kishte shoqëruese nuseje, duke zgjedhur vëllanë e saj, Austin Swift, në rolin e “man of honor”.
Pamje të publikuara pas ceremonisë treguan se Madison Square Garden ishte shndërruar në një kopsht përrallor me pemë gjigante, harqe dekorative dhe perde smeraldi. Në hyrje ishin ekspozuar fotografi të Taylor Swift dhe Travis Kelce nga momentet më të rëndësishme të historisë së tyre të dashurisë, përfshirë edhe propozimin për martesë në gusht të vitit 2025.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.