Strategjia e re për Kulturën vendos prioritetet për 2026-2030, rishikim i ligjit të artit dhe ligj të ri për…
Strategjia e re e Kulturës vendos prioritetet për 2026-2030. Ajo përcakton një paketë reformash legjislative, që burojnë nga rishikimi i plotë i kuadrit ligjor kulturor. Puna për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Kulturën 2026-2030 nisi në tetor të vitit të kaluar, ndërsa një ditë më parë u bë dhe prezantimi i saj. Blendi Gonxhja ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit u shpreh se Strategjia e Kulturës synon të përmirësojë sektorin kulturor përmes një pakete reformash. “Jemi duke çuar përpara një paketë të thellë reformash, nga puna për ligjin e ri të donacioneve dhe sponsorizimeve për artin, kulturën dhe sportin, te ligji i ri i kinematografisë dhe audiovizualit, si dhe rishikimi i ligjit për artin dhe kulturën”, tha ministri Gonxhja.
Ndërkohë që gjithashtu po punohet për ngritjen e Fondit Kombëtar të Artit dhe Fondit të Kujdesit për trashëgiminë kulturore, Gonxhja solli në vëmendje dhe se sektori kulturor po forcohet me më shumë investime në trashëgiminë kulturore, mbështetje financiare për projektet e pavarura dhe një rritje të vizitorëve në muze, kala dhe parqe arkeologjike. Sipas ministrit të MTKS-së, strategjia kombëtare gjithashtu synon të dyfishojë financimin aktual për kulturën deri në vitin 2030, duke e çuar atë në 0.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Përmes kësaj strategjie kombëtare, ne angazhohemi zyrtarisht ta dyfishojmë mesataren aktuale të financimit deri në vitin 2030, duke synuar të arrijmë në 0.8 për qind të PBB-së, në përputhje me shtete të krahasueshme të BE-së si Rumania, Bullgaria dhe Italia, për të synuar në afatgjatë nivelin evropian prej 1-1.2 për qind. Ky investim ambicioz përkthehet në një impakt të projektuar financiar prej rreth 709 milionë eurosh në ekonominë e sektorit tonë kulturor deri në vitin 2030”, u shpreh Gonxhja.
Strategjia Kombëtare për Kulturën 2026-2030 u hartua me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Fondazione Santagata. Ndërsa për drejtoreshën e AICS, Letizia Fischion strategjia është e rëndësishme, sepse përfaqëson një investim nga ana e Shqipërisë për të ndërtuar rrugëtimin e saj të ardhshëm përmes kulturës.
Procesi i konsultimit dhe hartimi i strategjisë
Projektvendimi për Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026-2030 tashmë është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Ndërsa strategjia e re parashikon një mbështetje më të madhe financiare në të ardhmen, sipas ministrit Blendi Gonxhja ajo vjen në një moment kur sektori kulturor në vend po përjeton transformime të rëndësishme.
Siç është bërë me dije, strategjia është e ndërtuar mbi një proces konsultimi me profesionistë të fushës, institucione, organizata të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, ku ndër të tjera ajo përcakton një paketë reformash legjislative dhe rregullatore, duke nisur nga rishikimi i plotë i kuadrit ligjor kulturor dhe i ligjit për artin dhe kulturën, modernizimi i normave për mbrojtjen e trashëgimisë, si dhe vendosja e statusit të artistit si një kuadër ndërsektorial. Konsultimet publike për Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026-2030 do të zgjasin deri më 22 qershor, në funksion të përmirësimit dhe pasurimit të këtij dokumenti.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.