Sulmi ndaj deputetëve Kapri dhe Hoti, Shehaj kërkon hetim të menjëhershëm nga SPAK: Përgjegjësit para drejtësisë
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, kërkon që SPAK të hapë menjëherë hetim për sulmet ndaj deputetëve Erald Kapri dhe Kliti Hoti gjatë protestave, të sekuestrojë pamjet dhe komunikimet e policisë dhe t'i nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë.
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas incidenteve të dy ditëve të fundit gjatë protestave në Tiranë, ku punonjës të Policisë së Shtetit kanë sulmuar deputetët Erald Kapri dhe Kliti Hoti, ndërsa edhe dy protestues të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Siç njofton BalkanWeb, Shehaj i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të nisë menjëherë hetimet për të gjitha rastet, të sekuestrojë pamjet dhe komunikimet e policisë, si dhe të identifikojë efektivët e përfshirë dhe drejtuesit që dhanë urdhrat.
“Një protestues ndodhet në gjendje kome, në rrezik për jetën, ndërkohë që një tjetër rrezikon shikimin. Dje, gjithashtu, një efektiv i Policisë së Shtetit e sulmoi pabesisht nga pas deputetin e Partisë Mundësia, Erald Kapri, duke i hedhur gaz në fytyrë, teksa ai përpiqej të mbronte disa të rinj që po goditeshin me shkopinj gome”, shkruan Shehaj në reagimin e tij.
Sipas tij, sot policia qëlloi me plumb gome një tjetër deputet, Kliti Hotin, pranë shtyllës kurrizore, ndonëse ai nuk po sulmonte askënd, dhe një goditje në atë zonë mund të kishte pasoja të përhershme.
“Kur policia guxon të godasë dy deputetë para kamerave, e mendoni çfarë i bën një qytetari pas dyerve të komisariatit? Koha për të dhënë llogari. Përgjegjësit para drejtësisë”, përfundon reagimi i Shehajt, i cituar nga BalkanWeb.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.