Tahiri kritikon Kurtin për Asociacionin: Po tregon çfarë nuk ka zbatuar Serbia, por jo si do ta zbatojë vetëmenaxhimin
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi, duke ngritur çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të vetëmenaxhimit të komunitetit serb.
Përmes një reagimi, Tahiri ka thënë se Kurti po thekson marrëveshjet që Serbia nuk i ka zbatuar, por, sipas saj, nuk po shpjegon se si do të zbatohet vetëmenaxhimi për komunitetin serb, i paraparë në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit.
“Kurti po tregon cilën marrëveshje nuk e ka zbatuar Serbia, por nuk po tregon si do ta zbatojë Asociacionin dhe vetëmenaxhimin/autonominë politike territoriale që ua dha pakicës serbe, me Marrëveshjen e Ohrit”, ka shkruar Tahiri.
Deklarata e ish-kryenegociatores rikthen në vëmendje debatet për obligimet e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, veçanërisht për çështjen e Asociacionit dhe mënyrën se si do të zbatohet koncepti i vetëmenaxhimit për komunitetin serb.
Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e arritur në Bruksel më 27 shkurt 2023, dhe aneksi i zbatimit i dakorduar në Ohër më 18 mars të po atij viti, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kornizës së dialogut.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.