Tahiri: Shtyhet interpelanca e Kurtit për dialogun strategjik me SHBA
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se interpelanca e kërkuar për kryeministrin Albin Kurti, lidhur me dështimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është shtyrë për seancën e radhës të Kuvendit.
Tahiri tha se interpelanca nuk do mbahet këtë të enjten në seancën e Kuvendit, për shkak të mungesës së kryeministrit Kurti në Kosovë, ndërsa theksoi se rikthimi i dialogut strategjik me SHBA-në është jetik për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.
Sipas tij, mungesa e këtij dialogu mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimit në NATO, njohjet e reja dhe marrëdhëniet me administratën amerikane.
“Ne si grup parlamentar ka pasur një interpelancë për kryeministrin Kurti që ndërlidhet me kërkesën tonë për të diskutuar dështimin e dialogut strategjik me SHBA-të, këtë të enjten nuk ishte kryeministri Kurti në Kosovë, është shtyrë për seancën e radhës. Ne e shohim jetike forcimin e subjektivitetit të Kosovës, forcimit të institucioneve tona edhe në rrafshin e brendshëm por në veçanti në rrafshin e brendshëm, ndërtimin dhe rikthimin e tabelës së dialogut strategjik Kosovë- Amerikë. Nëse nuk do të ndodhë procesi integrues, e në veçanti ai në NATO, procesi i njohjeve të reja, i angazhimit të administratës Trump dhe marrëdhënieve realisht do të jetë bukur problem”, tha Tahiri.
Ndërkohë, Tahiri kundërshtoi procedurën për shkarkimin e Këshillit të Lartë për Mbikëqyrje të Shërbimit Civil, duke e cilësuar të gabuar qasjen ndaj kësaj çështjeje.
Tahiri theksoi se administrata shtetërore nuk i përket asnjë partie politike dhe se vendimmarrja për këtë institucion duhet të bazohet në procedura të rregullta, e jo në vlerësime personale. Ai bëri të ditur se ka kërkuar që kjo çështje të largohet nga agjenda e vazhdimit të dy seancave të Kuvendit.
“Një çështje tjetër ka të bëjë me kërkesën për shkarkim të Këshillit të Lartë për Mbikëqyrje të Shërbimit Civil, procedura është gabim, qasja, administrata e shtetit nuk është e një partie, nuk duhet të hyjë në funksion vlerësimi personal, por duhet të jetë një procedurë, e cila i nënshtrohet kësaj. Kërkova të largohet nga agjenda e vazhdimit të këtyre dy seancave”, tha Tahiri. /KP/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.