Kuvendi pret konsensusin politik, Zgjedhorja ende në bllokadë! Krijohet ngërçi i parë në KQZ, opozita s’pranon identifik
Në Kuvend palët politike kanë rënë dakord që të paktën të ulen me njëri-tjetrin për të gjetur një zgjidhje mbi pretendimet në ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Për shkak të mosbesimit, opozita kërkoi arbitër ndërkombëtar, kërkesë që u plotësua nga mazhoranca dhe vetë Komisioni i Venecias.
A2 informon se dy ekspertë të Venecias do të vijnë në Tiranë më 25 nëntor për të asistuar në procesin e Reformës Elektorale.
Ndërkohë, ODIHR ende nuk ka kthyer një përgjigje lidhur me kërkesën për përfshirje në këtë proces. Ekspertët shqiptarë dhe të huaj pritet të punojnë për ligjin e financimit të partive politike dhe ndryshimet që lidhen me shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve bashkiakë. Gjithashtu, në tryezën e diskutimeve do të jetë edhe paketa e propozuar nga Partia Demokratike për ndarjen e shtetit nga partia.
Por ndërsa në Kuvend ka ende shpresë për konsensus, në KQZ pak ditë më parë u manifestua ngërçi i parë politik për zgjedhjet lokale të 9 majit. PD u shpreh të shtunën se nuk e do identifikimin elektronik në vendore me argumentin se nuk e ka kryer funksionin për të cilin është vendosur.
KQZ ende nuk ka arritur ta bindë PD për t’u tërhequr, ndërsa vetë përfaqësuesi ligjor i selisë blu në KQZ u shpreh për A2CNN se nuk ka asnjë ndryshim nga qëndrimi i së shtunës.
Marash Logu, përfaqësues ligjor i PD në KQZ:
“Ky qëndrim i PD është në përputhje me frymën dhe gërmën e Kodit Zgjedhor, i cili sanksionon se vendimmarrja për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje kushtëzohet nga analizat paszgjedhore”.
Këto të fundit kanë dëshmuar problematika të thella të procesit të identifikimit elektronik, duke kushtëzuar kështu edhe qëndrimin tonë kundër përdorimit të tyre në zgjedhjet lokale të 9 majit 2027. Qëndrimet tona kanë për qëllim të vetëm garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në të gjithë komponentët e tyre.
Komisioni Rregullator, me apo pa dakordësinë e PD, do të duhet të marrë një vendim. Nëse nuk arrihet të bëhen 4 vota si për përdorimin apo mospërdorimin e identifikimit elektronik, partitë politike mund ta ankimojnë vendimin në Kolegjin Zgjedhor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.