Deklarata e papritur e Britney Spears: Ish-partnerët donin që të ndryshoja pamjen time

Këngëtarja e njohur Britney Spears ka bërë një rrëfim të papritur në rrjetet sociale, duke pretenduar se të gjithë ish-partnerët e saj e kanë nxitur të kryente ndërhyrje estetike për të ndryshuar pamjen e ballit.
Artistja publikoi një video në Instagram, ku shfaqej duke luajtur me flokët e saj, ndërsa ndodhej në një avion. Ajo shoqëroi videon me një mesazh ku zbuloi komentet që, sipas saj, kishte marrë ndër vite nga meshkujt me të cilët kishte qenë në lidhje.
“Kam një ballë vërtet shumë të madh! Çdo mashkull me të cilin kam dalë më ka thënë të bëj operacion dhe të vendos implante flokësh, në mënyrë që balli im të mos duket kaq i madh”, shkroi Spears.
Më tej, këngëtarja nuk e fshehu irritimin ndaj këtyre komenteve, duke pyetur ndjekësit se përse disa meshkuj sillen në këtë mënyrë me gratë.
Britney nuk përmendi emra konkretë, duke mos zbuluar se cilëve prej ish-partnerëve u referohej. Megjithatë, ndër lidhjet e saj më të njohura publike kanë qenë ato me Justin Timberlake, Jason Trawick dhe ish-bashkëshortët Jason Alexander, Kevin Federline dhe Sam Asghari.
Në një tjetër publikim në rrjetet sociale, këngëtarja zbuloi se po udhëtonte drejt Londrës për të punuar mbi një linjë të re bizhuterish.
Ajo la të kuptohej gjithashtu se po mendonte të ndryshonte emrin e koleksionit, pasi nuk dëshironte që ai të perceptohej si ofendues ndaj personave që përballen me paragjykime për peshën trupore.
Spears zbuloi se koleksioni do të përfshijë edhe një shpatë japoneze, të cilën e përshkroi si simbol të forcës, drejtësisë dhe mbrojtjes së grave.
Këto deklarata vijnë në një periudhë kur Britney Spears ka qenë sërish në qendër të vëmendjes për shkak të marrëdhënieve të tensionuara me familjen.
Vetëm pak ditë më parë, këngëtarja kishte kritikuar publikisht motrën e saj Jamie Lynn Spears dhe ish-bashkëshortin Kevin Federline.
Megjithatë, më pas ajo publikoi një mesazh ku kërkonte falje ndaj familjarëve për rikthimin e konflikteve të së kaluarës, duke pranuar se i mungonin shumë.
“Jam shumë e bekuar që kam një familje kaq të bukur. Më vjen vërtet keq që riktheva çështjet e së kaluarës”, shkroi ajo, duke shtuar se kokëfortësia e saj ndonjëherë mund të jetë fëminore dhe e turpshme.
Ky publikim u fshi më vonë nga këngëtarja.
Britney Spears ka folur prej vitesh për marrëdhëniet e vështira familjare dhe periudhën e kujdestarisë ligjore, e cila përfundoi në nëntor të vitit 2021, pas gati 13 vitesh.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.