Takimi i përfaqësuesve të FBI me elitën e sigurisë në Tiranë, nga krimi i organizuar te dronët dhe paratë e krimit
Tirana është bërë këto ditë qendra e një takimi të rëndësishëm të drejtuesve dhe ekspertëve të sigurisë nga SHBA-ja dhe Europa. Nga 19 deri më 23 shtator, në kryeqytet zhvillohet takimi i 42-të i kapitullit europian të FBI National Academy Associates (FBINAA).
Sipas axhendës se takimit te siguruar nga Euronews Albania, në program janë përfshirë tema që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe luftën kundër krimit: krimi i organizuar, terrorizmi, ekstremizmi online, grupi “764”, dronët, krimi kibernetik, paratë e krimit, sekuestrimi i pasurive, narkotikët dhe ekstradimet.
Në aktivitet kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe amerikane. Në program janë drejtues të Policisë së Shtetit, SPAK-ut, BKH-së dhe Prokurorisë, ndërsa nga SHBA-ja është parashikuar pjesëmarrja e Spencer Horn, Zëvendës Ndihmës Drejtori në FBI-së, si dhe e atasheut të FBI-së në Sofje, Brendan Collins.
Krimi i organizuar
Takimi nis me diskutime për luftën kundër krimit të organizuar dhe përvojën e Budapest Organized Crime Task Force, që shënon 25 vite bashkëpunimi.
Në program është edhe modeli amerikan i Joint Terrorism Task Force, që bashkon agjenci të ndryshme për hetimin e kërcënimeve terroriste.
Nga pala shqiptare do të diskutohet edhe për krimet në kufi dhe migracionin e paligjshëm.
Çfarë është “764”?
Një nga temat më të veçanta është grupimi online “764”, i lidhur nga autoritetet amerikane me forma të ekstremizmit të dhunshëm dhe aktivitete kriminale në internet.
Tema “Nihilistic Violent Extremism and 764” prezantohet nga një zyrtar i FBI-së nga Berlini.
Më pas diskutohet edhe për format e reja të ekstremizmit të dhunshëm dhe përvojën e Shqipërisë në përballimin e tyre.
FBI sjell eksperet per dronët
Në konferencë ka edhe një pjesë të posaçme për dronët. Ekspertë të FBI Laboratory Division do të prezantojnë teknologjitë që përdoren për ekzaminimin dhe analizimin e dronëve.
Pas këtij sesioni, diskutimet kalojnë te krimi kibernetik dhe bashkëpunimi ndërkombëtar kundër grupeve kriminale.
Ku shkojnë paratë e krimit?
Një tjetër temë kryesore është ndjekja e parave të krimit.
Në konferencë diskutohet roli i inteligjencës financiare në luftën kundër krimit të organizuar.
Në program është edhe tema “From Confiscation to Public Good”, që lidhet me mënyrën se si pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara mund të përdoren për qëllime publike.
BKH dhe hetimi i narkotikëve
Në program është përfshirë edhe një rast konkret i hetuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit në fushën e narkotikëve. Rasti do të prezantohet nga hetuesi i BKH-së, Eduart Kaloshi.
Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për diskutime teorike. Në konferencë shkëmbehen edhe përvoja nga hetime konkrete.
Ekstradimet
Në ditën e fundit, fokusi kalon te ekstradimet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Do të diskutohen procedurat shqiptare, problemet që hasen në praktikë dhe mënyrat e bashkëpunimit me vendet e tjera.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.