TALIN – Inteligjenca estoneze ngre alarmin për sabotimet ruse ndaj kompanive të armatimeve
TALIN, 30 shtator /ATSH-DPA/- Rusia po synon gjithnjë e më shumë kompanitë evropiane të armatimeve përmes përpjekjeve “sistematike” për sabotim dhe sulmeve kibernetike, tha sot kreu i shërbimit të inteligjencës së Estonisë.
“Veprimet e Rusisë në të gjithë Evropën janë qartësisht sistematike”, tha Margo Palloson, drejtues i Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Estonisë, në një intervistë për transmetuesin ETV.
Ai tha se fokusi nuk është më te objektivat simbolike, pra te vende apo objekte që kanë kryesisht rëndësi politike ose simbolike, por te kompanitë e industrisë së armatimeve, me synimin për të penguar që ndihma ushtarake të arrijë në Ukrainë.
Palloson tha se inteligjenca estoneze ka parandaluar tashmë një numër të konsiderueshëm përpjekjesh për sabotim dhe sulmesh ruse gjatë viteve të fundit.
I pyetur nëse sulmet janë shtuar, ai tha se niveli i kërcënimit ka qenë vazhdimisht i lartë gjatë tre viteve të fundit.
Megjithatë, ai paralajmëroi se niveli i kërcënimit është rritur pas shtimit të incidenteve që përfshijnë eksplozivë, duke përmendur si shembull sulmin e parandaluar me një dron të ngarkuar me eksplozivë, në aeroportin e Lajpcigut në Gjermani.
Estonia e bëri dje zyrtarisht përgjegjëse Rusinë për një sulm me zjarrvënie ndaj kompanisë së prodhimit të pajisjeve të mbrojtjes “Milrem Robotics”, e cila ndërton sisteme ushtarake pa pilot, që janë përdorur në Ukrainë që nga viti 2022.
Rusia i hodhi poshtë akuzat e bëra nga autoritetet estoneze.
“Ne rekomandojmë fuqimisht që të gjitha kompanitë e industrisë së mbrojtjes, veçanërisht ato që furnizojnë Ukrainën me çfarëdo lloj pajisjeje apo materiali, të forcojnë masat e tyre për mbrojtjen kibernetike”, tha Palloson.
Ai tha se kompanitë e sektorit të mbrojtjes në Estoni janë objektiva konkrete të sulmeve.
Estonia, një shtet baltik që është anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe që ka kufi me Rusinë, është një vend partner i afërt dhe mbështetës i Ukrainës.
Ukraina po mbrohet kundër pushtimit të plotë rus prej më shumë se katër vitesh. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.