FOKUS – “Mirë se të ktheheni!” Macron përshëndet idenë e rikthimit të Britanisë së Madhe në BE
MADRID, 30 shtator /ATSH – DPA/ – Presidenti francez Emmanuel Macron ka përshëndetur debatin e rihapur në Britani për mundësinë e një rikthimi të vendit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar një zhvillim të tillë si lajm të mirë si për britanikët, ashtu edhe për Evropën.
“Welcome back!”, tha Macron në anglisht, ndërsa komentoi deklaratat e kryeministrit britanik Andy Burnham për të ardhmen e marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së.
“Nëse britanikët duan të rikthehen dhe nëse kryeministri shkon në këtë drejtim, mendoj se është një lajm shumë i mirë si për vendin e tij, ashtu edhe për evropianët”, deklaroi Macron gjatë një konference për shtyp në Madrid, duke shtuar: “Kthehuni.”
Kryeministri britanik Andy Burnham kishte deklaruar të martën se qeveria e tij synon të paraqesë “opsione të ndryshme” për marrëdhëniet afatgjata me Bashkimin Evropian në një samit që pritet të zhvillohet deri në fund të vitit.
Një ditë më pas, ai sqaroi se edhe rikthimi i Mbretërisë së Bashkuar në BE është një nga opsionet që mund të shqyrtohen.
Macron vlerësoi rolin historik të Britanisë në Evropë, duke i cilësuar britanikët si “partnerë kërkues” që kanë ndihmuar në thjeshtimin e proceseve evropiane. Sipas tij, Burnham “ka të drejtë të tregojë këtë guxim”.
Presidenti francez theksoi gjithashtu kufizimet e një afrimi të Britanisë me BE-në duke qëndruar jashtë Unionit, dhjetë vjet pas referendumit që çoi në Brexit.
“Është e pamundur të zgjedhësh vetëm mes lirive të Bashkimit dhe nuk mund të vendosësh të marrësh atë që të përshtatet dhe të refuzosh pjesën tjetër”, u shpreh Macron.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, i cili tha se Brexit-i kishte qenë një humbje e madhe si për popullin britanik, ashtu edhe për projektin evropian.
Nëse Britania do të merrte një vendim për t’u afruar sërish me BE-në, Sanchez tha se Spanja do ta përshëndeste dhe do t’i “hapte përsëri krahët” popullit britanik.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.