Tarran takohet me Gjiknurin dhe Bylykbashin, diskutohet reforma zgjedhore për zgjedhjet e 9 majit 2027
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran është takuar sot me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për realizimin e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
Në qendër të takimit kanë qenë hapat që nevojiten për realizimin e reformës zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore të 9 majit të vitit të ardhshëm, 2027.
Duke pasur parasysh se mandati i Komisionit përfundon më 30 nëntor, ambasadori Tarran theksoi rëndësinë e përshpejtimit të progresit në përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Sipas tij, ky progres duhet të realizohet në kohën e duhur, në mënyrë përfshirëse dhe me konsensus ndërpartiake.
“Një progres i tillë është thelbësor për të rritur besimin e publikut në proceset zgjedhore”, theksoi ambasadori Tarran.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri rikonfirmoi përkushtimin e saj për të mbështetur dialogun politik konstruktiv dhe një proces gjithëpërfshirës të reformës zgjedhore.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.