Robert Pattinson thyen heshtjen për rolin e ri si James Bond

Robert Pattinson ka reaguar për herë të parë pasi u konfirmua si aktori i ri që do të interpretojë James Bond, duke e cilësuar këtë mundësi si një nga nderimet më të mëdha të karrierës së tij.
Aktori 40-vjeçar u shpall zyrtarisht si agjenti i ri 007 më 16 nëntor, përmes një videoje të shkurtër të publikuar nga Amazon MGM Studios.
Pas njoftimit, Pattinson ndau edhe reagimin e tij, duke shprehur emocionet për marrjen e një prej roleve më ikonike në historinë e kinemasë.
“James Bond është një nga personazhet më legjendarë të kinemasë dhe të më besohet roli i 007 është nderi i jetës sime. Jam thellësisht mirënjohës ndaj Denis, Amy, David, Tanya dhe të gjithë ekipit të Amazon MGM Studios për besimin që kanë treguar tek unë.
Të them se kjo ëndërr po bëhet realitet është pak. Nuk mund të isha më i emocionuar për këtë bashkëpunim dhe punën që na pret me këtë ekip fantastik”, u shpreh aktori.
Filmi i ri i James Bond do të drejtohet nga Denis Villeneuve, ndërsa skenari do të shkruhet nga Steven Knight, krijuesi i serialit të njohur “Peaky Blinders”.
Në rolin e producentëve do të jenë Amy Pascal dhe David Heyman, ndërsa Tanya Lapointe do të jetë producente ekzekutive.
Ky do të jetë filmi i parë i agjentit 007 që do të realizohet nën kontrollin krijues të Amazon MGM Studios, pasi kompania mori drejtimin krijues të ekskluzivitetit në vitin 2025.
Pattinson ka bashkëpunuar më parë me regjisorin Villeneuve në filmin e ardhshëm “Dune: Part Three”, ku interpreton personazhin negativ Scytale.
Përzgjedhja e tij erdhi pas një procesi të gjatë kërkimi, ku mes kandidatëve të përfolur ishin edhe Nicholas Hoult, Jack Lowden, Josh O’Connor, Callum Turner dhe Jacob Elordi.
Regjisori Denis Villeneuve shprehu gjithashtu entuziazmin për bashkëpunimin me aktorin, duke theksuar se Pattinson ka shpirtin e përjetshëm të James Bond, por sjell një energji krejtësisht të re për personazhin.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur të mirëpres Robert Pattinson si James Bond-in tonë të ri. Ai ka shpirtin e përjetshëm të 007 dhe sjell një frymë krejtësisht të re. Mezi pres të fillojmë”, deklaroi regjisori.
Edhe producentët Amy Pascal dhe David Heyman e vlerësuan zgjedhjen, duke theksuar guximin e aktorit, humorin dhe aftësinë e tij për të ripërtërirë vazhdimisht veten përmes roleve të ndryshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.